Taksa në “Rrugën e Kombit” do të ulë numrin e pushuesve në Shqipëri

Shqipëria

Taksa në “Rrugën e Kombit” do të ulë numrin e pushuesve në Shqipëri

Më: 17 prill 2018 Në ora: 23:25
Taksimi i Rruges se Kombit

Tarifat të cilat janë caktuar nga Qeveria shqiptare për qarkullim të automjeteve në rrugën e Kombit ka zgjuar shumë polemika si në Shqipëri ashtu në Kosovë. Polemika këto që shpërthyen edhe në dhunë në protestën e organizuar nga banorët e Kukësit, ku disa prej protestueseve edhe u arrestuan.
Por një taksë e tillë po konsiderohet e padrejtë dhe shumë e lartë edhe nga shqiptarët e Kosovës, të cilët janë shprehur shumë të indinjuar sidomos tash në prag të fillimit të sezonit turistik.

Sipas ekonomistit, Naim Gashi kjo nuk është taksë rrugore por është gjobë për të gjithë ata që ia mësyjnë Shqipërisë. Ai tha se një taksë e tillë është e padrejtë sidomos kur kjo taksë është vendosur vetëm në aksin rrugorë me Kosovën.

“Tarifa rrugore e cila po synohet të vendoset nga Qeveria e Shqipërisë në “Rrugën e Kombit” është një goditje shumë e rëndë e bashkëpunimit ekonomik dhe përafrimit të dy vendeve në të gjitha fushat. Është indikativ fakti se si Qeveria Rama po synon të vendosë taksa vetëm në aksin rrugor me Kosovën dhe këtë nuk po e bën këtë, ta zëmë me autostradën që shkon për Vlorë. Taksat rrugore ekzistojnë në të gjitha vendet, por çmimet e pretenduara nga Qeveria e Shqipërisë nuk janë taksa, por gjoba për ata që ia mësyjnë Shqipërisë” u shpreh Gashi.

Ai shtoi se më së shumti do të humbë ekonomia shqiptare, sidomos turizmi shqiptar i cili deri më tash ka qenë desitnacioni kryesor i kosovarëve, sidomos pjesa e Adriatikut.

“E thonë edhe prodhuesit vendorë se sot më lehtë është te eksportosh mallra në Zvicër sesa në Shqipëri. Mendoj se humbësi më i madh i gjithë kësaj do të jetë ekonomia shqiptare, sidomos turizmi shqiptar, i cili ishte deri më tani destinacioni kryesor për kosovarët”, ka deklaruar ai.

Edhe agjensionet turistike nuk kanë mendim më të mirë për taksën rrugore, e cila drejtpërdrejt i dëmton edhe ato si kompani.

Sipas Driton Sylës, pronar i “Toni Travel” një taksë e tillë është e padrejtë dhe do të dëmtoj sidomos pushuesit kosovar, të cilët për shkak të çmimeve më të lira kanë zgjedhur me theks të veçantë Durrësin.

“Po thuajse të gjithë pushuesit kosovar destinacionin kryesor për pushimet e tyre e kanë pasur, Durrësin sidomos për shkak të çmimeve më të lira të biletave. Si pasojë e taksës rrugore shumë nga pushuesit do të zgjedhin opsione tjera më të arsyeshme për ta”, u shpreh Syla.

“Taksë e turpit” është quajtur nga pronari i agjensionit “Sharr Travel” tarifa rrugore e cila po synohet të vendoset nga qeveria shqiptare. Sipas Ruzhdi Kurtishajt kjo taks po i diferencon qytetarët e Kosovës, si qytetarët të dytë ose të tretë por edhe agjensionit të tij do t’i shkaktoj dëme rreth 100 mijë euro në vit.

“Kjo është taksë e turpit, kjo është taksë që i ndanë qytetarët, që i vendosë qytetarët e Kosovës si qytetar të rangut të dytë dhe të tretë dhe kjo taksë ka me pas zhvillim shumë negativ në zhvillimin e turizmit në Shqipëri” u shpreh Kurtishaj.

Ai ka thënë se një gjendje e tillë do të ju konvenoj më shumë vendeve fqinje të cilat do të përfitojnë pushuesit që nuk do të zgjedhin Shqipërinë si destinacion për pushime.

“Jam shumë i sigurt që qytetarët janë shumë të indinjuar nga ky vendim i qeverisë shqiptare, pa përfunduar projekti shumë qytetarë kanë ardhur në zyret tona edhe kanë thënë që nëse ndodh kjo do të ndryshojmë destinacion, ne nuk do të udhëtojmë drejt Shqipërisë por ne do ta ndjekim rrugën që lidh Pejën me Ulqinin dhe nuk do të kalojmë në Shqipëri pushimet. Kjo gjendje më së shumti përshtati do ti shkoj edhe Turqisë edhe Malit të Zi dhe shteteve tjera të rajonit, që normal interesi i tyre është të thithin pushues nga Kosova”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, tarifat e miratuara fillojnë nga 2.5 euro për motorët, 5 euro për vetura, 11.2 euro për autobusët dhe për kamionët deri në 22.5 euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat