Kumari “vret” të varfrit…

Shqipëria

Kumari “vret” të varfrit…

Më: 18 prill 2018 Në ora: 16:20
Ilustrim

Një i ri nga Saranda shkon çdo ditë në Vlorë. Jo për të shitur midhje, por edhe për të luajtur në kazino. Ndaj në fund të ditës ndoshta nuk do të ketë ç’të dërgojë në shtëpi.

“10 mijë lekë të vjetra kam bërë. Vij nga Saranda. Sa erdha nga momenti që zbrita nga autobusi shkova në kazino. Normale s’është, por është thjesht një fiksim. Në Sarandë nuk luaj se jam familjar e s’dua të merret vesh”, thotë shitësi i midhjeve, i cili shton se nuk ka fituar asnjëherë.

Ndërsa një qytetar vlonjat ka 20 vjet që luan. Edhe ai lë në kumar paratë që fiton nga puna.

“Luaj me paratë që fitoj nga puna. Nga 100 herë mund të kem fituar 1 herë… Na ka rrënuar psikologjikisht dhe ekonomisht. Kazinoja vret më shumë fukarenjtë. Ai që ka shkon një herë në muaj, kurse ai që ka një dymijeleksh do shkojë se mos e bën 10”, thotë qytetari.

Gjatë një vëzhgimi të Top Channel në Vlorë, në pikat e basteve sportive dhe lojërave të fatit hynin e dilnin shumë qytetarë që në orët e para të mëngjesit.

Të paktë janë ata që pranojnë të flasin për një dukuri ku në mos janë protagonistë, janë dëshmitarë të heshtur. Të fortët, siç i quajnë në qytet pronarët e lojërave të fatit, shpesh duken më të fortë se ligji dhe ndaj shumë njerëz hezitojnë të flasin publikisht.

Me kamerë të fikur, shumë të tjerë e cilësojnë kumarin gangrenën e qytetit. Kanë dëshmuar zemërimin e atij që humb dhe godet makinat për të shfryrë inatin, por dhe raste tragjike kur dikush humb jetën bashkë me paratë.

Të gjithë kërkojnë zhvendosjen e kazinove sa më larg Vlorës, e ka madje prej tyre që si gjysmë me shaka të thonë se lojërat e fatit duhet të lejohen vetëm në Sazan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat