Grabitja e argjendarisë/ Shitësja tregon tmerrin: Më vunë elektroshokun në fyt, ishin

Shqipëria

Grabitja e argjendarisë/ Shitësja tregon tmerrin: Më vunë elektroshokun në fyt, ishin

Më: 19 prill 2018 Në ora: 09:38
Ilustrim

Dalin detaje te reja nga grabitja qe ndodhi në qendër të qytetit, në mes të ditës, ne nje argjendari që kishte rënë pre e vjedhjes edhe pesë vite më parë. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 14:40 minuta në bulevardin kryesor të Durrësit.

Mësohet se dy persona të pamaskuar, të cilët mbanin në dorë një elektroshok, kanë mundur të grabisin një sasi prej rreth dy kilogramësh bizhuteri floriri që ndodheshin të ekspozuara në vitrinë dhe në banakun e argjendarisë.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, autorët ishin dy persona, të pamaskuar, të cilët realizuan vjedhjen duke kërcënuar shitësen me elektroshok.

Shitësja, që në ato momente ndodhej vetëm në dyqan, ka pohuar se autorët (dy djem të moshës rreth 25- vjeçare) i kanë vendosur pajisjen e elektroshokut në fyt duke i kërkuar të mos bënte asnjë veprim.

Ndërkohë, personi tjetër ka marrë ç’të mundte nga bizhuteritë e floririt të ekspozuara në vitrinë dhe disa që ndodheshin në banak dhe më pas janë larguar me shpejtësi, duke humbur gjurmët në rrugicat e qytetit bregdetar.

Menjëherë, në vendin e ngjarjes ka mbërritur Policia, e cila ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe për të përcaktuar dëmin e shkaktuar prej autorëve. Nga të dhënat dhe bilancit paraprak dyshohet se ata kanë arritur të marrin një sasi prej rreth dy kilogramë bizhuteri floriri.

Mësohet se kamerat e sigurisë të dyqanit, në ato momente, ishin jashtë funksionit. Policisë i është dashur të sekuestrojë kamerat e sigurisë të biznesit përballë për të analizuar dhe identifikuar dy autorët, të cilët kanë hyrë si klientë në dyqan. Policia ka mundur të nxjerrë foto të grabitësve nga kamerat e bizneseve aty pranë. Ndërkohë, dëshmia e shitëses, e cila ka mbetur mjaft e tronditur nga ngjarja, mund të zbardhë të tjera detaje me rëndësi për hetuesit.

Në dyqan janë gjetur shumë gjurmë gishtash, që dyshohet se janë të grabitësve. Policia do të bëjë verifikimin e tyre për të zbuluar nëse dy të rinjtë janë me precedentë penalë apo nëse janë përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme.

Ndërkohë, në të gjitha dyqanet e argjendarive, të shtrira përgjatë gjithë bulevardit kryesor të Durrësit, grabitja e ndodhur pasditen e djeshme ka shkaktuar shqetësim, pasi bizneset anë ndierë të kërcënuar. Dyshohet se autorët kanë qenë në dijeni të faktit që në dyqan nuk funksiononte kamera, për faktin se ata janë futur pa maska.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat