Krijohet Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera

Shqipëria

Krijohet Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera

Më: 20 prill 2018 Në ora: 18:54
Ilustrim

Duke marrë shkasë nga aksidentet e shumta në miniera, qeveria ka vendosur organizimin dhe funksionimin e autoritetit kombëtar për sigurinë dhe emergjencat në miniera.

Agjencia e quajtur shkurt si AKSEM, do ta ketë selinë në Tiranës dhe kryen veprimtarinë në fushën e sigurisë në punë, të emergjencave dhe shpëtimit në veprimtarinë minerare dhe punimet nëntokësore të veprave hidroenergjetike, duke u shtrirë në të gjithë territorin e vendit.

Institucioni do të ketë një titullar, i përveç kompetencave të zakonshme, do të raportojë çdo 6 muaj për veprimtarinë e institucionit.

AKSEM do të kryej inspektime në:

i.  minierat nëntokësore me regjim gazi, të cilat inspektohen jo më pak se 3 (tre) herë në vit;

ii. minierat nëntokësore pa regjim gazi dhe punimet nëntokësore të veprave hidroenergjetike, të cilat inspektohen jo më pak se 2 (dy) herë në vit;

iii. minierat sipërfaqësore, fabrikat e pasurimit dhe impiantet e përpunimit të mineraleve, të cilat inspektohen jo më pak se një herë në vit.

b) Monitoron e mbikëqyr galeritë e minierave të mbyllura dhe jashtë përdorimit.

c) Siguron gatishmërinë e plotë të personelit, pajisjeve dhe mjeteve për të ndërhyrë e përballuar situatën për shpëtimin e njerëzve për çdo situatë emergjente në veprimtaritë minerare dhe punimet nëntokësore të veprave energjetike.

ç) Vlerëson, mbyll dhe monitoron grykat e punimeve minerare në minierat e braktisura.

d) Regjistron çdo subjekt që kryen veprimtari minerare dhe në punimet nëntokësore në veprat hidroenergjetike, etj.

Brenda këtij autoriteti do të ketë edhe disa komisione, si ai i shqyrtimit të gjobave, Komisioni teknik për testimin dhe pajisjen me leje për përdorim civil të lëndëve plasëse (dëshmi zjarrmëtari), Komisioni teknik për lëshimin dhe pajisjen me leje (dëshmi shpëtuesi) të punonjësve të kërkuar nga subjektet si specialistë emergjence dhe shpëtimi për skuadrat e emergjencës.

Gjithashtu do të ketë një komision teknik për vlerësimin dhe miratimin e projekteve teknike të subjekteve që kërkojnë të pajisen me autorizim për përdorimin civil të lëndëve plasëse, si dhe Komisioni teknik për vlerësimin dhe miratimin e planit të emergjencave dhe shpëtimit (PESH). Ky komision ngrihet dhe funksionon me urdhër të titullarit të AKSEM-it.

Struktura dhe organika e AKSEM-it miratohen nga Kryeministri, ndërsa rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe për sjelljen e personelit të AKSEM-it miratohet nga ministri.

Krijimi i kësaj agjencie do të thotë se mund të preken punonjësit e Repartit të  Inspektim-Shpëtimit në Miniera, ndërsa punonjësit sipas vendimit të qeverisë, do të trajtohen sipas legjislacionit për nëpunësin civil në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit.

Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe AKSEM-i për zbatimin e këtij vendimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat