Kokëdhima: PS-PD, në dashuri të përjetshme për sabotimin e reformës zgjedhore

Shqipëria

Kokëdhima: PS-PD, në dashuri të përjetshme për sabotimin e reformës zgjedhore

Më: 20 prill 2018 Në ora: 19:33
Kryetari i partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima

Kryetari i partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, reagoi ashpër sot, pas mbledhjes së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, ku mediat u nxorën jashtë me konsensusin e përbashkët të bashkëkryetarëve Bledi Çuçi dhe Oerd Bylykbashi. Kokëdhima apeloi OSBE-në dhe ambasadat e vendeve mike në Tiranë, që të mos mjaftohen vetëm me retorikë burokratike për Reformën Zgjedhore, sepse pa të, çdo reformë tjetër nuk do t’i shërbejë interesave reale të Shqipërisë.

Reagimi i plotë i Kokëdhimës:

Dashuria e partive të vjetra

PD e PS që kanë kapur shtetin, kanë shkatërruar zgjedhjet, liritë dhe konkurencën në politikë, u detyruan sot nga OSBE-ja, të mbledhin më në fund Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore.Por edhe në prani të kreut të OSBE-së, ambasadorit Bernd Borchardt, përfaqësuesit e këtyre partive treguan, se kur vjen puna për sabotimin e reformës janë së bashku në dashuri të përjetshme. Pasi foli ambasadori dhe dy bashkëkryetarët e komisionit, Bledar Çuçi dhe Oerd Bylykbashi, me urdhër të këtyre dy të fundit, mediat u përzunë nga takimi pavarësisht nga kundërshtimi i partive të vogla. Çfarë sekretesh kanë këta shkatërrues të votës së shqiptarëve, që u duhet të fshihen nga publiku? Këto dy parti që në parlament, në rrjete sociale dhe studio televizive shfaqen si kundërshtare të egra dhe të betuara, kur vjen puna te Reforma Zgjedhore bëhen bashkë si me magji, për të vetmen arsye: shtyrjen e saj për  në “kalendat greke”.

ZGJIDHJA ka kohë në mënyrë të stërpërsëritur, që paralajmëron se partitë e vjetra nuk e duan Reformën Zgjedhore. Prandaj edhe po bëjnë teatër duke e shtyrë e sabotuar procesin, edhe pse ndërkombëtarët u bëjnë thirrje se janë shumë vonë. Sot kryetari i Prezencës, ambasadori Bernd Borchardt, sërish theksoi edhe njëherë urgjencën për një reformë të plotë dhe në kohë, e cila do të trajtojë të gjitha rekomandimet e papërmbushura të OSBE/ODIHR-it, nga tri zgjedhjet e fundit. “Edhe pse rrezikoj të bie në përsëritje, më lejoni të theksoj edhe një herë që ne rekomandojmë fort një reformë të plotë dhe në kohë, një reformë që trajton të gjitha rekomandimet e papërmbushura të OSBE/ODIHR-it nga zgjedhjet e viteve 2013, 2015 dhe, sigurisht, ato të vitit të kaluar. Mandati i Komisionit të Posaçëm u zgjat së fundmi dhe unë i rekomandoj fort Komisionit, ta finalizojë reformën zgjedhore brenda këtij afati të ri. Tani është koha për rezultate konkrete”, tha ambasadori.

ZGJDHJA edhe një herë denoncon marrëveshjen e partive të vjetra parlamentare. Ato sundojnë popullin tonë në bashkëpunim të ngushtë, në bashkëpunim alternohen në qeverisje dhe mbajnë peng Reformën Zgjedhore. Shqipëria nuk ka për të pasur kurrë qetësi, demokraci funksionale dhe as progres drejt Bashkimit Europian, nëse nuk i jepet fund skemës mafioze të uzurpimit të zgjedhjeve prej 25 vitesh. I bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar, OSBE-së, ambasadave të vendeve mike në Tiranë, që të mos mjaftohen vetëm me retorikë burokratike për këtë çështje. Pa Reformë Zgjedhore, çdo reformë tjetër nuk do t’i shërbejë interesave reale të Shqipërisë.

#ZgjidhjaPërLiritëPolitike

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat