Negociatat, Zogaj: Rekomandimi i Komisionit ka shanse të pranohet nga vendet anëtare të BE-së

Shqipëria

Negociatat, Zogaj: Rekomandimi i Komisionit ka shanse të pranohet nga vendet anëtare të BE-së

Më: 22 prill 2018 Në ora: 14:11
Preç Zogaj

Rekomandimi pozitiv për çeljen e negociatave nga ana e Komisionit Europian ka hapur një garë të heshtur parashikimesh dhe analizash për vendimit e qershorit të Këshillit të Europës. Deklaratat e ardhura nga Kreu i Shtetit francez Macron mbi ridimensionimin e Bashkimit Europian përpara zgjerimit apo ato të Kryetarit të Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaun, për një gjykim të thelluar për hapjen e negociatave nga Bundestagu pavarësisht rekomandimit pozitiv të Komisionit, kanë ushqyer edhe më tej këtë debat që duket se do vijoj deri pas kryerjes së vizitës së Kryeministrit të Shqipërisë  në Gjermani, vendimi i së cilës është vendimtar për kolegjialitetin e Këshillit Europian.

Duke komentuar këtë në emisionin “JAVA” në RTSH, analisti dhe publicisti njohur  Preç Zogaj u shpreh optimist për një vendim pozitiv të Këshillit duke pasur parasysh  dy elementë që sipas tij janë  Reforma në Drejtësi dhe konteksti rajonal që ka diktuar edhe një ndërhyrje të pazakontë të SHBA-ve.

“Shqipëria në të gjithë etapat e saj të integrimit në strukturat euroatlantike është përballur me skepticizmin e vendeve të ndryshme.  Por nuk besoj se vendet anetarë të BE-së do të sfidojnë për herë të dytë  Komisonin e krijuar prej tyre. Reforma në Drejtësi, rezultatet e para të Vettingut dhe krijimit të insttucioneve të tjera të Drejtësisë janë një pikë e fortë për Shqipërinë në këtë provim të radhës, tha  Zogaj duke shtuar se “Konteksti rajonal është i favorshëm”. Vendet e Natos kanë demonstruar një koordinim dhe kohezion të pazakontë politik, diplomati dhe ushtarak në vendimarrjet lidhur me çështje të caktuara, siç ishte për rastin e helmimit të Skripal në Britani apo sulmet kundër impostacioneve të armëve kimike në Siri”. Kujtoj se tema e integrimit të Ballkanit Perëndimor ka qenë objekt bisedimi në Dhomën e Deputetëve dhe Kongresin amerikan dhe kjo është një shtytje dhe garanci tjetër pasi roli amerikan është vendimtar. Në raport ftohet Shqipëria për mosndryshimin e orientimit strategjik. Ky është një mesazh shumë i rëndësishëm”

Sipas Zogajt “nëse Gjermania do të jetë pro, Shqipërisë do t’i hapen negociatat. Skeptikët e dinë se hapja e negociatave nuk është anëtarësim. Aty do të na kenë, në  dorën  e tyre do të jemi, në sprova dhe sfida të reja më të vështira”.

Lidhur me  forcat vepruese Brenda vendin që shtyjnë përpara procesin, Zogaj u shpreh se  “shtytja më e fuqishme është aspirata euroatlantiste e popullit shqiptar. Vendi ka njohur disa thyerje gjatë këtij procesi të gjatë,  por ka qenë europianizmi i popullit shqiptar që nuk e kanë lënë këtë të ndalojë.” I pyetur  nga kolegu i tij Lorenc  Vangjeli se kush i merr dafinat nëse negociatat  hapen,  Zogaj  tha “klasa politike  është investuar ndër vite më shumë për ta vonuar se sa përshpejtuar integrimin në BE. Kjo arritje duhet të përcillet me modesti. Nuk ka vend për dafina”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat