“Llahtar, jam tu vujt fukarallëkun”, flet pas lirimit protestuesi kuksian

Shqipëria

“Llahtar, jam tu vujt fukarallëkun”, flet pas lirimit protestuesi kuksian

Më: 22 prill 2018 Në ora: 15:21
Protesta

Abdi Haziraj është një nga 11 qytetarët kuksianë që u rrëmbyen me forcë nga banesat e tyre nga ana e Policisë, pas protestës për tarifën në Rrugën e Kombit.

Pas lirimit të tij nga burgu, ai shprehet se Policia ka ushtruar terror gjatë momentit të arrestimit, ndërsa thotë që e vetmja arsye qe e ka bërë të dalë në protestë është ajo ekonomike.

Ai thekson se edhe qëndrimin në burg të katër qytetarëve të tjerë e ndjen po njësoj sikur të kishte qëndruar vetë në burg.

Harizaj duke folur për ‘’Fax News” shprehet: 

Momenti i arrestimit ka qenë i tmerrshëm, i llahtarshëm. Policët ishin të armatosur, me maska dhe me elektrikë në dorë. Kanë qenë rreth e qark shtëpisë, policia, policia, ç’a është i them unë?! Ajde ajde më thonë se e di ti se çfarë ke bërë. Kur ka ardhur Policia ka qenë ora 3 e mëngjesit.

Në ambientet nuk jemi trajtuar keq, brenda standardeve të burgjeve.

Nuk kam pasur asnjë konflikt në ditën e protestës me punonjësit e Policisë. Kam hyrë në kabina kur kishte përfunduar gjysma e aksionit. Nuk kam pasur asnjë lloj konflikti me policinë. Unë kam qenë një njeri që jam tu e vujt fukarallëkun.

Kam një studio të vogël fotografike dhe me atë mbaj të gjithë familjen, po që nga shtatori dhe këtej më shumë ia kam dhënë paratë shtetit. Në protestë kurrkush nuk ka dalë me vjedh, krejt kanë qenë hallexhinj, nuk flas vetëm për vete, si unë janë dhe ata që kanë mbetur në burg. E ndiej sikur kam qenë vetë, duhet të sensibilizohemi dhe të dalim të gjithë.

Se për çfarë jam mbajt brenda unë nuk e di….

Duke iu referuar zërave se tarifa do të jetë 3 euro, dhe a do të dalë sërish në protestë Haziraj u shpreh: Unë nuk e di, unë për vete, unë nuk kam mundësi që të paguaj as edhe një euro. Me këtë farë mundësie që kam, që i paguaj të gjitha detyrimet shtetit, duhet që ti paguaj dhe një shtesë shtetit. Unë jam kundër pagesës së çfarëdolloj tarife.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat