Rruga Tiranë - Elbasan, sekuestrohen llogaritë dhe aksionet e kompanisë ndërtuese

Shqipëria

Rruga Tiranë - Elbasan, sekuestrohen llogaritë dhe aksionet e kompanisë ndërtuese

Më: 24 prill 2018 Në ora: 12:11
Foto

Tre urdhra bllokimi janë vendosur ndaj shoqërisë Copri-Aktor e cila sipas kontratës po ndërton lotin e parë dhe të tretë të autostradës Tiranë-Elbasan. Sekuestroja më e fundit është vendosur gjatë prillit mbi llogaritë dhe aksionet e kompanisë ndërkohë që dy të tjerat i përkasin fundit të muajit shkurt. Referuar urdhrave të zyrave të përmbarimit detyrimet e saj janë ndaj palëve të treta në shuma që shkojnë mbi 10 milionë lekë ndërkohë që ka fatura që i përkasin vitit 2014 për të cilat nuk është bërë ende pagesa.

Kompania duket se kishte rënë në qetësi që nga korriku i vitit të kaluar kur është regjistruar edhe masa e fundit e bllokimit nga pëtrmbarimi por telashet kanë filluar sërish këto muaj. Situata e saj financiare nuk ka qenë edhe aq e favorshme po të kemi parasysh që sipas bilancit të vitit 2016 kompania akumuloi të paktën 30 milionë euro borxhe ndaj të tretëve.

Sipas të dhënave që raportohen në bilancin e kompanisë për vitin 2016, zëri “Të pagueshme ndaj furnitorëve” ishte 4 miliardë lekë, nga 4.7 miliardë lekë një vit më pare. Për tre vite radhazi (2014-2016) kompania ka rezultuar me humbje të larta, që gjithsesi janë reduktuar nga 2.1 miliardë lekë në 2014-n, në 1.3 miliardë lekë në vitin 2015 dhe 323 milionë euro në vitin 2016. Për shkak të humbjeve të vazhdueshme, kompania rezulton me kapital negativ prej 5.3 miliardë lekësh (gati 40 milionë euro) në bilancin e vitit 2016, duke qenë praktikisht e falimentuar.

Rruga Tiranë-Elbasan ende e papërfunduar

Ajo që u duk se do të ishte një autostradë që do të mbyllej shpejt dhe me lehtësi në fakt përfundoi në një epope më vete. Kompania AKTOR përfundoi në kohë rekord tunelin e Kërrabës i cili kushtoi 8.3miliardë lekë por për dy lotet e tjera u fut në garë sëbashku me kompaninë COPRI por akoma dhe sot ska një bilanc përfundimtar sesa ka shkuar kostoja e këtyre dy loteve.

Që nga viti 2012 kur ka nisur ndërtimi e në vijim rruga ka shfaqur problematika serioze me rrëshqitjen e dherave dhe shkëmbinjve ku vetëm rasti i fundit i pak mujave më parë llogaritet me një kosto 4 milionë euro ndërkohë që rruga vijon të mbetet e bllokuar.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri me dije pak ditë më parë se ka siguruar 14 milionë euro të cilat do të shkojnë për punimet në Lotin e parë nga Iba në tunel ndërkohë që fonde të tjera shtesë mendohet se do të nevojiten akoma për të mbyllur projektin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat