Ujësjellësi i ri, zgjidh problemin e mungesës së ujit për 6 fshatra të Fierit

Shqipëria

Ujësjellësi i ri, zgjidh problemin e mungesës së ujit për 6 fshatra të Fierit

Më: 26 prill 2018 Në ora: 16:55
Ujsellsin

Rikonstruksioni i ujësjellësit të Mbrostarit në Bashkinë e Fierit, një investim me vlerë mbi 556 mijë euro, tashmë i shërben rreth 10’500 banorëve të 6 fshatrave të kësaj zone. 

Rikonstruksioni i ujësjellësit të Mbrostarit i ka dhënë zgjidhje problemit me mungesën e ujit në rubinetet e fshatrave Petovë, Makaj, Verri, Kallm, Mojalli dhe Mbrostar. 

Falë investimit të TAP, i gjithë rrjeti mëparshëm i amortizuar është zëvendësuar nga e para me tubacion polietileni. 

Gjithashtu, për të rritur kapaciteti furnizues i ujësjellësit, janë hapur dy puse të reja dhe është rehabilituar depo e ujit në Petovë. 

Lindita Sotiri, Këshilltare në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për Çështjet e Ujit tha se “falë këtij investimi iu dha zgjidhje një problemi të kahershëm të këtij komuniteti. Jam e bindur që investime të ngjashme do të kemi edhe në të ardhmen jo vetëm në Bashkinë e Fierit por edhe në bashkitë e tjera përgjatë gjurmës së TAP në Shqipëri. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të mbështesë investimet e TAP që ndikojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës së komuniteteve.”

Drejtori i Ujësjellësit të Mbrostarit, Pirro Ndreu, lidhur me këtë rikonstruksion u shpreh se “pas shumë vitesh mund të themi që e kemi zgjidhur problemin me mungesën e ujit në shtëpitë e fshatrave të kësaj zone. Madje për disa shtëpi të fshatit Kallm është hera e parë që uji u vjen në rubinetet e shtëpisë. Për këtë i jemi shumë mirënjohës TAP.”

Menaxheri i Përkohshëm i TAP për Shqipërinë, Michele Elia, gjatë përurimit të ujësjellësit të Mbrostarit u shpreh: “TAP po mbështet zhvillimin e komuniteteve përgjatë gjurmës së gazsjellësit me një sërë investimesh në infrastrukturë. Ujësjellësi i Mbrostarit është një prej investimeve Sociale dhe Mjedisore në Bashkinë e Fierit që i përmirësoi jetesën mbi 10’000 banorëve. Edhe në të ardhmen, në partneritet me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe qeverisjen vendore ne do të jemi në krah të zhvillimit të komuniteteve.”

Ujësjellësi i Mbrostarit ka një rrjet tubacioni prej rreth 13 kilometrash. Në përbërje të ujësjellësit janë 2 puse me kapacitet total prej 1’200 m3/ditë, 1 depo uji me kapacitet 250 m3 dhe ambientet e trajtimit të ujit të pijshëm, përfshirë sistemi automatik i klorinimit. Rikonstruksioni i plotë ujësjellësit të Mbrostarit është pjesë e Investimeve Sociale dhe Mjedisore të TAP në Shqipëri. Ky është një projekt krejtësisht i financuar nga TAP, duke përfshirë punimet, supervizimin dhe kontratën e menaxhimit./ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat