Banka e Shqipërisë shpjegon arsyet: Pse ra kërkesa për kredi

Shqipëria

Banka e Shqipërisë shpjegon arsyet: Pse ra kërkesa për kredi

Më: 27 prill 2018 Në ora: 08:26
Banka e Shqipërisë

Familjet dhe bizneset pritet që në 6-mujorin e parë të vitit 2018 të ulin kërkesat për kredi. Banka e Shqipërisë, dje gjatë prezantimit me mediat të raportit të stabilitetit financiar për 6-mujorin e dytë të 2017, shpjegoi se shkak i kërkesës së ulët është se shumë familje dhe individë kanë deklaruar se kanë një hua për të paguar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, të ndikuara nga kërkesat, bankat e nivelit të dytë kanë shtrënguar kushtet e dhënies së kredisë. Në raportin e politikës financiare, Banka e Shqipërisë shprehet se ka zhvilluar dy vrojtime për familjarët dhe bizneset, ku është konstatuar se aktualisht kërkesa për kredi është e ulët.

“Për të vlerësuar në mënyrë më të plotë gjendjen financiare dhe huamarrjen e familjeve dhe të ndërmarrjeve, Banka e Shqipërisë kryen dy vrojtime të posaçme me frekuencë gjashtëmujore, në bashkëpunim me Institutin e Statistikave. Për periudhën, përgjigjet e ndërmarrjeve të mëdha e të mesme tregojnë për një përmirësim të aksesit të tyre në financim, ndërsa për ndërmarrjet e vogla ky vijon të jetë një proces më i vështirë. Në përgjithësi, si ndërmarrjet ashtu edhe familjet tregojnë se kanë aktualisht një oreks të ulët për të marrë borxh”, thuhet në raport.

Por edhe për muajt e parë të 2018, sipas rezultatit të vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, mundësia për të marrë hua ka rezultuar pothuaj në nivelin e mesatares afatgjatë, por me prirje të lehtë rritëse, çka mund të sinjalizojë një gjallërim të kërkesës për kredi nga sektori i individëve. Mbështetur në rezultatet e vrojtimit të Bankës së Shqipërisë për gjendjen financiare dhe huamarrjen e familjeve, konstatohet që shumë nga familjet i janë drejtuar huamarrjes informale, apo siç njihet ndryshe fajdeve.

“Rreth 28 për qind e familjeve deklarojnë se kanë hua për të paguar dhe kjo peshë ka mbetur e njëjtë krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, por në rënie krahasuar me një vit më parë. Në 37% të rasteve të huamarrjes, familjet i janë drejtuar burimeve formale (banka dhe institucione jobankare) në formën e produkteve të kredisë dhe në 63% të rasteve i janë drejtuar burimeve joformale, kryesisht para në dorë”, citohet në raport. Referuar rezultateve të vrojtimit, tre qëllimet kryesore të huamarrjes mbeten: për konsum në 42 për qind të rasteve të huamarrjes, blerje/riparim prone 26 për qind e rasteve dhe zhvillim biznesi 12 për qind e rasteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat