Rama: Njerëzit nuk hanë shifra, fushatë të mirëfilltë fshat më fshat. Nuk kemi opozitë

Shqipëria

Rama: Njerëzit nuk hanë shifra, fushatë të mirëfilltë fshat më fshat. Nuk kemi opozitë

Më: 28 prill 2018 Në ora: 11:45
Edi Rama

Kryeministri dhe kreu i PS-së Edi Rama deklaroi në Asamblenë Parlamentare të PS se nis fushata e mirëfilltë me angazhim maksimal fshat më fshat për të takuar njerëzit.

“Të hyjmë në fushatë të mirëfilltë me angazhimin maksimal të të gjitha forcave tona që nga nvieli i kryesisë së partisë, qeverisë, Asamblesë Kombëtare dhe të gjitha niveleve të dyta të organizimit për të shkuar qark më qark, bashki më bashki dhe fshat më fshat për të folur me njerëzit, jo për çka kemi bërë, po për çka njerëzit presin prej nesh sot dhe për të dëgjuar me shumë vëmendje që të kuptojmë atë që është më e rëndësishmja në këto kushte, kur opozita nuk vjen në Parlament për të sjellë zërin e njerëzve”, tha Rama.

Njerëzit nuk hanë shifra, tha ai dhe maxhoranca nuk jeton në një guackë të shkëputur nga realiteti. “Ne nuk jetojmë në një guackë të shkëputur nga realiteti dhe jemi të kërcënuar seriozisht nga rreziku që të perceptohemi të tillë nga njerëzit. Njerëzit nuk hanë shifra, nuk e mbushin tavolinën e bukës me statistika, nuk i veshin fëmijët me suksese, dhe në fund të muajit njerëzit nuk llogarisin shifrat, statistikat dhe rezultatet tona po shikojnë ekonominë e tyre familjare. Kjo do të thotë që është shumë e rëndësishme për ne që të jemi shumë më pranë se sa kemi arritur të jemi deri më sot me njerëzit që me gjithë procesin e qeverisjes ne të jemi mishërimi i ambicieve, shpresave dhe dhimbjeve të tyre. Nuk është e thjeshtë, por e domosdoshme”, tha ai.

Për Ramën, Shqipëria sot nuk ka opozitë, pasi nuk sfidon me intelekt, por me forcë. “Ne jetojmë sot në një situatë të ndërlikuar në shumë aspekte dhe kemi detyrën të qeverisim pa opozitë. Nuk kemi opozitë. Ajo që kemi është një gërdi individësh dhe grupesh të çoroditura që në pamje të parë duket sikur e bën më të lehtë punën tonë, po në thelb e bën shumë më të vështirë punën tonë. Sepse një opozitë që nuk të sfidon në intelekt, po fizikisht është një hata e madhe përsa i përket nevojës që ka çdo qeveri në botë që të jetë e sfiduar në intelekt, një opozitë që nuk shkon në parlament si në një kuvend po si në një tapet mundje, është një hata e madhe sepse ndërkohë që ne jemi zgjedhur për të çuar para alternativa, gjendemi në kushtet kur duhet të shtrihemi në një sport që nuk ka lidhje as me politikën po as me sportet e njohura nga federatat ndërkombëtare. Një opozitë që ka vizion të vetin shpifjen dhe program sharjen, është një opozitë shumë e rrezikshme për ne, jo për rezultatet e zgjedhjeve, por për fuqinë tonë për tu motivuar dhe për të bërë më të mirën”, vijoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat