Basha: Pranoj gabimet e mia, por i kam bërë me qëllime të mira

Shqipëria

Basha: Pranoj gabimet e mia, por i kam bërë me qëllime të mira

Më: 29 prill 2018 Në ora: 12:06
Lulzim Basha

(E plotësuar) -  Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të kësaj partie deklaroi se qeveria ka dështuar, por “edhe ne nuk ia dolëm për t’i dhënë vendit zgjedhje të lira e të ndershme”.

“Ne nuk ia dolëm për t’i dhënë vendit zgjedhje të lira e të ndershme; nuk ia dolëm që trafikantët e drogës t’i çonim prapa hekurave. Unë i pranoj gabimet e mia, nuk dua të zbeh përgjegjësinë time. Por, kam pasur qëllime të mira për t’i shërbyer njerëzve. Duke mësuar nga gabimet, do e kthejmë Partinë Demokratike në parti fituese”, deklaroi Basha.

“Të gjithë e dinë se punët po shkojnë keq, shoqëria është e pashpresë dhe ekonomia është katastrofë. Shqipëria nuk do t’i harrojë lehtë këto vite. Ajo që na bashkon sot është dashuria për vendin dhe aspirata për ta parë atë si gjithë Europa. Qeveria ka shkatërruar ekonominë, arsimin, shëndetësinë dhe ka shkretuar Shqipërinë, duke detyruar shqiptarët që të marrin rrugët e mërgimit. Qeveria ka braktisur njerëzit dhe ka kthyer vendin përmbys me reformën territoriale që vetëm qytetarëve nuk u shërben. Por, sot të shikojmë njëri-tjetrin në sy e të themi KURRË MË! Jemi gati për të nisur një tjetër rrugëtim të madh për PD-në dhe Shqipërinë europiane me besim te vetja dhe vlerat që ndajmë me njëri-tjetrin”, shtoi Basha.

Lulzim Basha u bëri thirrje kundërshtarëve të tij në parti që të bashkohen për të kontribuar, duke theksuar se ky bashkim nuk do të bëhet për pazare.

“Gjatë muajve të fundit ka pasur edhe akuza dhe sulme personale. Kam zgjedhur të jem më i duruar dhe i matur që të mos i përgjigjem sulmeve. Dua sot t’i shtrijë dorën atyre që dëshirojnë të kontribuojnë dhe të bashkohen me ne për t’i kthyer këtij vendi shpresën. Dora ime do të jetë e shtrirë jo për pazare, as për poza, por për të ndërtuar ura bashkëpunimi”, tha Basha.

Më tej, Basha theksoi: “Sot në Shqipëri plaçkitet me ligj; sot në Shqipëri trafikohet me ligj; sot në Shqipëri shkatërrohet me ligj. Këtë realitet Edi Rama nuk arrin ta fshehë më me bojën e skaduar të propogandës. “Transparancy International” e ka renditur Shqipërinë si një nga vendet më të korruptuara të botës, duke e ulur renditjen e saj në vendin e 91, baraz me Suazilandin. Banka Botërore deklaron se rreth 1 milion shqiptarë mbijetojnë me rreth 5 dollarë në ditë dhe se vetëm si pasojë e taksave, popullsia shqiptare që jeton me më pak se 4 dollarë në ditë, është rritur nga 22.6% në 29.1%. Kjo do të thotë se taksat e Edi Ramës vetëm rrisin varfërinë dhe pabarazinë dhe pasurojnë vetëm një grusht njerëzish”.

Basha e cilësoi kryeministrin Edi Rama si “triumfin spektakolar të së keqes në Shqipëri”.

“Simboli më i turpshëm i kësaj qeverisjeje është ai që i përzgjodhi me dorë kriminelët dhe i solli në Parlament, në zyrat e shtetit, në krye të bashkive, në Policinë e Shtetit… Është ai që ka nën kontroll mediat në vend, që ka futur nën hyqmin e vet prokurorinë, që përfiton miliona nga korrupsioni dhe trafiku i drogës, që darkon dhe drekon me kriminelët, që nuk dëgjon më asnjeri, që e kam mendjen vetëm tek vetja. Është Edi Rama. Edi Rama është triumfi spektakolar i të keqes në Shqipëri”, u shpreh kreu i Partisë Demokratike.

Basha: Kjo qeveri dështoi, por as ne nuk ja dolëm dot të shpëtonim vendin

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha nga Kuvendi Kombëtar i kësaj force politike ka ftuar të gjithë demokratët dhe gjithë qytetarët që të bashkohen për të ndryshuar situatën në të cilën ndodhet vendi. Duke bërë përgjegjës kryeministrin Rama për gjendjen e vështirë ekonomike të qytetarëve, Basha tha se politika i ka zhgënjyer qytetarët.

“Sot në këtë sallë, dhe si në çdo vend tjetër anembanë Shqipërisë, mblidhemi në një orë kritike për të sotmen dhe të nesërmen e vendit tonë. Dhe le t’i themi gjërat troç. Të gjithë e dimë se punët shkojnë keq, se shoqëria është e shpartalluar, se ekonomia është katastrofë dhe se politika i ka zhgënjyer njerëzit. Shqipëria nuk do t’i harrojë lehtë këto vite. Ajo nuk do ta harrojë se shpëtimi i saj nuk është thjesht punë partie. Shpëtimi i saj është shqetësimi dhe detyra për të gjithë ne këtu”, u shpreh Basha.

Më tej kryedemokrati theksoi se sot mblidhen nën hijen e një qeverie e cila e ka shkatërruar ekonominë, sistemin arsimor, ka rrënuar shëndetësinë, ka plaçkitur qytetarin për të pasuruar oligarkun, ai ka pranuar se ata kanë dështuar në këtë qeverisje, por nuk ka mohuar se as PD nuk ja doli dot të çonte deri në fund reagimin e tyre.

“Kjo qeveri ka kaluar pushtetin në duart e bandave dhe të oligarkëve, ka braktisur njerëzit, ka kthyer vendin përmbys me reformën territoriale e cila vetëm qytetarëve nuk ju shërben. Ne sot kemi një qeveri që ngriti sistemin më të sofistikuar të shitblerjes së votës, një qeveri që vuri kriminelët në krye të shtabeve elektorale. Por ne nuk duhet të biem në rehati nga justifikimet.

Ne duhet të gjejmë guximin dhe ta pranojmë: Po, ata kanë dështuar, por edhe ne nuk ja dolëm ta kurorëzonim me sukses betejën tonë historike për ti dhënë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk ja dolëm të ndanim njëherë e mirë politikën nga krimi, nuk ja dolëm që trafikantët e drogës dhe bosët e tyre politikë ti çonim para drejtësinë”,  tha Basha.

kreu i demokratëve ka kërkuar që nga ky Kuvend i madh kombëtar, të lënë pas humbjen dhe zhgënjimin, dhe ta shikojmë njëri-tjetrin në sy duke thënë njëzëri: kurrë më!

“Ja ku jemi bashkë me mijëra demokratë, të gatshëm për të nisur një tjetër rrugëtim të madh dhe te sukseshëm për Partinë Demokratike dhe për Shqipërinë evropiane. Plot besim tek vetja, por mbi të gjitha plot besim tek vlerat dhe tek vizioni që ne ndajmë me njëri tjetrin. Sot e gjithë Shqipëria pret nga ne. Është një pritje e thellë në kufijtë e dëshpërimit. Sepse këto nuk janë kohë të mira për Shqipërinë”, 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat