Qeverisë nuk i del “plani”, ekonomia ngadalësohet

Shqipëria

Qeverisë nuk i del “plani”, ekonomia ngadalësohet

Më: 1 maj 2018 Në ora: 12:01
Ilustrim

Të ardhurat që mblidhen në buxhet kanë ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rritjes për tremujorin e parë të vitit, për shkak të performancës së dobët të muajit mars.

Sipas tabelave zyrtare të publikuara nga Ministria e Financave, për tre muajt e parë të vitit, të ardhurat në buxhet ishin 105.4 miliardë lekë, me një zgjerim prej 3.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Duke pasur parasysh që rritja ekonomike është rreth 4% dhe inflacioni 2%, rezulton një zgjerim real negativ i të ardhurave prej minus 2%.

Për dy mujorin të ardhurat ishin zgjeruar me 5.5%, por në mars u mblodhën vetëm 37.8 miliardë lekë, me një rritje fare të papërfillshme në raport me marsin e vitit të kaluar (nga rreth 40 miliardë lekë që ishte plani i marsit 2018), çka ka përkeqësuar treguesit e tre mujorit.

Për 3 mujorin, plani është realizuar vetëm 97%, teksa mungojnë 3.1 miliardë lekë. Mosrealizimi më i madh është në zërin e tatim fitimit.

Të ardhurat nga tatimet dhe doganat u rritën me 3.1% me bazë vjetore për janar-mars, duke shënuar një mosrealizim të lartë të planit, prej gati 3 miliardë lekë, që erdhi nga TVSH dhe sidomos nga tatim fitimi (shih tabelën). Teksa të ardhurat nga TVSH u rritën me 7.4%, të hyrat nga tatim fitimi ranë ndjeshëm me 13.4%. në këtë rënie vlerësohet të ketë ndikuar performanca e dobët e kompanive shtetërore të energjisë, të cilat kanë rezultuar me humbje për shkak të motit të pafavorshëm në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.

Të ardhurat nga tatimi mbi të hyrat personale patën një ecuri më të mirë, duke u zgjeruar me 11.4%, ndonësë sërish ishin më poshtë sesa plani.

Pushteti vendor solli 3.5 miliardë lekë të ardhura, me një tkurrje prej gati 8% me bazë vjetore, ku ndikimin më negativ e dha taksa e pronës, që kishte një mosrealizim të dukshëm plani, ku u mblodhën vetëm 54% e të ardhurave të planifikuara. Nga 1 prilli ka hyrë në fuqi metoda e re e llogaritjes së taksës mbi pronën, jo më fikse, po në bazë të vlerë, çka sipas planeve pritet të rrisë të paktën me 50% të ardhurat nga ky zë.

Mbledhja e sigurimeve shoqërore është e vetmja që ka qenë me tejkalim plani, duke arritur në 22.7 miliardë lekë për tremujorin, me një zgjerim prej 10%. Rënia e papunësisë dhe rritja e numrit të të punësuarve ka ndikuar pozitivisht këtë zë.

Teksa nuk kanë arritur të plotësojnë planin e të ardhurave, financat janë treguar të kursyera me shpenzimet, të cilat ishin 100 miliardë lekë, ose gati 4 miliardë lekë më pak sesa plani.

Bie në sy që kursimi më i lartë ka ardhur për shpenzimet kapitale, të cilat ishin 10.3 miliardë lekë, pothuajse njësoj me janar-marsin 2017, por 2.6 miliardë lekë më pak sesa plani, apo realizim vetëm 80%.

Në rënie të ndjeshme ishte pagesa e papunësisë me 30.6%, ndërsa për ndihmën ekonomike shteti shpenzoi 177 milionë lekë më pak sesa vitin e kaluar (-3.6), ose 456 milionë lekë më pak sesa plani.

Si rrjedhojë e kontrollit të shpenzimeve, buxheti ka rezultuar sërish me një suficit prej 5.2 miliardë lekësh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat