Xhafaj: Rrjeta për “peshkun e madh”, Polici-Prokurori- Gjykatë

Shqipëria

Xhafaj: Rrjeta për “peshkun e madh”, Polici-Prokurori- Gjykatë

Më: 1 maj 2018 Në ora: 13:22
Fatmir Xhafaj

Forumi qytetar për Sigurinë Publike është ndalur në qytetin e Korçës, ku ministri Fatmir Xhafaj iu përgjigj pyetjeve dhe shqetësimeve të ngritura nga banorët e zonës.

“Ju korçarët jeni nga më të shëtiturit që në origjinë dhe e dini shumë mirë se si kanë funksionuar dhe si funksionojnë disa gjëra jashtë nesh. E dini shumë mirë marrëdhënien që njerëzit kanë me policinë. Fakti që vetë qytetarët vendosen në ruajtje të qetësisë, të rendit, praktika të kësaj natyre, si kjo që ne po duam të ndërtojmë, janë të zakonshme në vendet e BE-së”, nënvizoi ministri.

Duke u ndaluar tek lufta kundër krimit të organizuar, ai theksoi se shumë çështje nën hetim kanë avancuar.

“Krimi i organizuar cënon sigurinë kombëtare, pronën dhe jetën, cënon, pengon zhvillimin ekonomik, jetën sociale të shoqërisë edhe imazhin e vendit. Ne jemi fort të angazhuar. Kemi ndërmarrë një operacion shumë konkret, operacionin “Forca e Ligjit”. Kemi evidentuar grupet kriminale që veprojnë në territor, brenda dhe jashtë territorit të vendit. Kemi goditur një pjesë të tyre. Kemi një sërë hetimesh të rëndësishme me Task Forcat që janë në kuadrin e operacionit “Forca e Ligjit”, në bashkëpunim me Prokurorinë, për të goditur shumë shpejt një pjesë të këtyre grupeve kriminale”, u shpreh ministri Xhafaj.

Këto Agjenci të rëndësishme ligjzbatuese si Policia, Prokuroria e Gjykata që jep drejtësi, nëse janë misione të ndershme e të afta profesionalisht, nuk korruptohen nga politika dhe zyrtarët e shtetit. Dhe kjo është pikërisht ajo që do çojë në pritshmërinë e lartë për t’u dhënë më pas ndëshkimin e duhur gjithë zyrtarëve që kanë abuzuar me pushtetin – ose siç i quani ndryshe ju me të drejtë ‘peshqit e mëdhenj’. Sepse që ‘peshku i madh” të përfundojë aty ku duhet, duhet të ketë rrjetë, dhe rrjeta janë Policia – Prokuroria – Gjykata. Pa këto të treja nuk është e mundur. Pasi nëse njëra prej tyre nuk funksionon, nuk funksionon i gjithë sistemi”, tha Xhafaj.

Forumet Qytetare për Siguri janë mbajtur më herët në Elbasan, Dibër, Fier e Berat. Dhe pas 12 qarqeve llogaridhënia e policisë do të shtrihet në javët e ardhshme në 61 bashkitë në vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat