Vrasja e Agim Bucit, autori kishte kohë që planifikonte ta grabiste

Shqipëria

Vrasja e Agim Bucit, autori kishte kohë që planifikonte ta grabiste

Më: 2 maj 2018 Në ora: 10:48
Pasi ka dëgjuar të shtënën, Agim Buci ka sulmuar Kurtin në tentativë për ta ndalur, por është qëlluar në bark nga grabitësi.

Zbardhet dinamika e grabitjes me pasojë vdekjen në Kamzë. Dy grabitësit, Vladimir Kurti dhe Rruzhdi Hode, kanë shkuar në këmbë deri te marketi, duke e parkuar makinën në një rrugë tjetër.

Para se të hynin në market, Kurti e ka pajisur Hodën me një thikë buke dhe vetë ka nxjerrë pistoletën. Në momentin që ai i është afruar kasës, aty ka qenë fëmija i mitur i Agim Bucit. Në këto kushte, Rita Buci ka tentuar t’i ndalë grabitësit, duke qëlluar me produkte ushqimore Kurtin dhe ky i fundit e ka qëlluar më pistoletë në këmbë duke e plagosur.

Pasi ka dëgjuar të shtënën, Agim Buci ka sulmuar Kurtin në tentativë për ta ndalur, por është qëlluar në bark nga grabitësi. Më pas, Kurti dhe Hoda kanë dalë të maskuar dhe me vrap deri në bulevardin “Berisha” dhe më pas kanë hequr maskat, duke ecur normalisht drejt mjetit. Pasi kanë marrë mjetin, janë drejtuar për nga lumi ku kanë hedhur sendet me të cilat kryen grabitjen. Ndërkohë, arma e krimit ende nuk është gjetur dhe vijojnë kërkimet në lumë.

DINAMIKA

Më datë 24.04.2018, i dyshuari Vladimir Kurti është takuar me të dyshuarin tjetër, Rruzhdi Hoda dhe i ka thënë këtij të fundit se do të kryenin një “punë” bashkë, do të shkonin të vidhnin diku. Të nesërmen, më 25.04.2018, i dyshuari Rruzhdi Hoda, me automjetin e tij tip “Golf” me targë AA 269 KF, ka shkuar pranë banesës së të dyshuarit Vladimir Kurti. Ky ka marrë këpucët dhe dorashkat në shtëpi dhe i është drejtuar automjetit.

Më pas, ata i janë drejtuar rrugës “Miqësia” në Kamzë dhe kanë parkuar automjetin në atë zonë. Kanë ecur në këmbë përgjatë bulevardit “Berisha” dhe janë kthyer te kthesa që të dërgon për të marketi i viktimës, Agim Buci. Rreth 30 metra para se të hynin në dyqan, Vladimiri i ka dhënë Rruzhdiut një thikë buke me bisht druri, një palë dorashka dhe një kapuç. Vladimiri që kishte veshur një xhup të zi me kapuç, ka ecur bashkë me Rruzhdiun drejt dyqanit. Rreth pesë metra përpara se hynin në dyqan, Vladimiri ka nxjerrë pistoletën nga brezi dhe është futur brenda, i ndjekur nga Rruzhdiu me thikë në dorë.

Pasi kanë hyrë brenda, Vladimiri është afruar te kasa e parave për të marrë këto të fundit. Pranë saj ndodhej fëmija i mitur i viktimës. Gruaja e viktimës, Rita Buci, pasi ka parë Vladimirin te kasa, është munduar ta godasë me disa produkte ushqimore. Në atë moment, Vladimir Kurti ka qëlluar më pistoletë dhe e ka plagosur në këmbë. Pas të shtënës, është afruar Agim Buci, i cili është përleshur me Vladimir Kurtin. Ky i fundit e qëlloi me pistoletë edhe atë. Pas ngjarjes, të dy të dyshuarit kanë vrapuar të maskuar deri te bulevardi “Berisha”.

Para se të dilnin nga aty, kanë hequr maskat dhe kanë vijuar të ecin normalisht. Pasi kanë hipur në makinë, kanë shkuar te Lumi i Bovillës dhe nga ura e Zgafnorit kanë hedhur maskat, dorashkat, xhupat dhe pantallonat në lumë.

MASAT

Ditën e djeshme, dy autorët e dyshuar të grabitjes, Vladimir Kurti dhe Rruzhdi Hoda kanë dalë përpara Gjykatës së Tiranës për caktimin e masës së sigurisë. Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për t’i lënë në burg që të dy. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa familjarët e dy të arrestuarve i bojkotuan, duke mos qenë prezent as jashtë godinës së Gjykatës.

Burimet thonë për “Panoramën” se dy të arrestuarit kanë pranuar krimin, por asnjëri prej tyre nuk pranoi t’i kishte qëlluar më armë Agim Bucit apo Rita Bucit. Megjithatë, kamerat e sigurisë kanë treguar mirë se ka qenë Vladimir Kurti ai që ka qëlluar, përkundër manovrave të përdorura në Gjykatë, duke mbajtur qëndrim mohues. Edhe avokati i tyre u shpreh pas seancës se krimi ishte i rëndë, duke mos pasur pretendime për masat e sigurisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat