Të dhënat personale, Vokshi: Rama, Nikolla dhe Manastirliu të pezullohen nga detyra

Shqipëria

Të dhënat personale, Vokshi: Rama, Nikolla dhe Manastirliu të pezullohen nga detyra

Më: 8 maj 2018 Në ora: 12:30
Albana Vokshi

Pavarësisht se ministria e Arsimit dhe e Shëndetësisë u tërhoqën nga urdhri i tyre për kartat e identitetit të qytetarëve, Partia Demokratike ka depozituar në prokuroi një kallëzim penal ndaj tyre dhe kryeministrit Edi Rama për shpërdorim detyre.

Madje, demokratja Albana Vokshi thotë se në kallëzim është kërkuar dhe pezullim nga detyra e kryeministrit Edi Rama dhe ministreve, Ogerta Manastirliu dhe Lindita Nikolla, pasi mund të prishin provat e hetimit. Gjithçka tha ajo është bërë për motive elektorale.

“Qëllimi vetëm është abuzimi me postin dhe funksionin e kryeministrit dhe dy ministreve dhe personelit që po detyrohet të ushtrojë këtë presion nga lart vetëm për arsye zgjedhore dhe elektorale. Prandaj dhe në kallëzim penal kemi kërkuar jo vetëm fillimin e hetimeve për shpërdorim detyre dhe funksionit politik për arsye elektorale, për aktivitete zgjedhore dhe politike, po kemi kërkuar dhe pezullimin nga funksioni të kryeministrit dhe dy ministrave pasi mund të prishin provat e hetimit”, tha Albana Vokshi.

Sipas Vokshit, siç e kanë dhënë në kallëzim, tërheqja e dy ministreve nga urdhri është tregues i paligjshmërisë.

“Është shpjeguar qartë dhe tek kallëzimi që deklaratat e ministreve vërtetojnë qartë paligjshmërinë e aktit të tyre. Duke grumbulluar të dhënat personale Edi Rama hedh në kosh të plehrave një prej rekomandimeve të OSBE ODIHR pasi e ka dhënë të qartë që i duhet dhënë fund abuzimit me burimet shtetërore, në këtë kontekst ai ka përdorur administratën shtetërore për të kryer një veprim të paligjshëm. nuk ka asgjë ndryshe se vendimi i para ca kohësh i edi ramës për të marrë të gjithë emailet dhe numrat e telefonit për të bërë spiunimin e të gjithë shqiptarëve. Duke qenë në kushtet që Gjykata Kushtetuese është jofunksionale, prokuroria pavarësisht se është nën ndikimin e Edi Ramës është institucioni i vetëm që mund t’i drejtohej opozita për të ngritur zërin”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat