Bushati: BE nuk është klub ekskluziv, ku hyn kush paguan

Shqipëria

Bushati: BE nuk është klub ekskluziv, ku hyn kush paguan

Më: 9 maj 2018 Në ora: 12:40
Ditmir Bushati

Në ditën e Europës ministri i Jashtëm Ditmir Bushati thotë se sot, në pragun historik që është Shqipëria të çeljes së negociatave, sfidë mbeten rezultatet konkrete, pasi siç u shpreh ai “BE nuk është një klub ekskluziv ku hyn kush paguan.

“E sot në Ditën e Europës, çdokush prej nesh mund të pyesë: A quhet i përfunduar projekti Europian teksa një pjesë organike e tij, Ballkani Perëndimor, mbetet ende jashtë? Përgjigja është natyrisht jo! Kemi pandehur se jemi me fat që gjendemi në zemër të qytetërimit Europian. Mbase te e pandehura qëndron edhe gabimi ynë sepse ka një vijë të hollë ku ndahet realiteti nga imagjinata. E pikërisht kjo nuk duhet të na bëjë të mendojmë se e meritojmë automatikisht anëtarësimin në BE. Bashkimi Europian nuk është klub ekskluziv ku hyn ai që paguan. Është para së gjithash një bashkësi vlerash. Dhe vlerat nuk arrihen me plan as 5-vjeçar e as 10-vjeçar. Ato mbruhen dhe mëkohen. Nuk thuhen me fjalë, por tregohen me vepra. E them këtë sepse jemi në një prag historik, fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Që sikundër çdo sfidë e vështirë do të vijë si rezultat i punës konkrete, jo i të kaluarës tonë”, tha shefi i diplomacisë shqiptare.

Ne shqiptarët, tha ai, jemi një nga popujt më euro-entuziastë. “Dhe teksa lëmë pas historinë dhe hidhemi në ditët e sotme, ne shqiptarët mbetemi një nga popujt më euro-entuziastë. Fillimi i ndryshimeve politike dhe shoqërore në fillim të viteve 90’-të nën thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” nuk ishte gjetje e ndonjë kompanie marketingu, por shprehje e aspiratës së gjeneratave të tëra për t’u kthyer politikisht aty ku kemi bërë pjesë me kohë shpirtërisht. Në kohën e lajmeve të rreme, të shpërthimit të mediave sociale dhe të të gjitha fenomeneve që lidhen me to, Shqipëria ka nevojë si kurrë ndonjëherë për t’u njohur nëpërmjet kulturës së saj”, tha ai.

Duke iu referuar Ismail Qemalit, se kombi është një nyje, lëmsh që të mblidhet në gjoks, Bushati thekson se në familjen europiane shqiptarët do të shkojnë si komb, për të mbajtur me vete amanetin e paraardhësve.

“Ismal Qemali në rrugëtimin e tij historik për mëvetësinë e Shqipërisë e shpjegonte në mënyrë elokuente fjalën “komb”, që në shqip do të thotë “nyje”. Një nyjë që të bëhet në fyt. Për shqiptarët e mi thoshtë plaku i urtë, përpara se të jetë një ide, një thelb historik, kombi është një nyje, një lëmsh që mblidhet në gjoks. Që të shtrëngon. Gati një dhimbje.E pra në familjen Europiane ne do të shkojmë si komb, si nyje, duke mbajtur me vete amanetin e paraardhësve dhe premtimin për pasardhësit”, tha Bushati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat