Taksa e të vegjëlve, 5 përqind. Zbulohet projekti i Financave…

Shqipëria

Taksa e të vegjëlve, 5 përqind. Zbulohet projekti i Financave…

Më: 9 maj 2018 Në ora: 20:28
Grafiku

Bizneset me xhiro nën 14 milionë lekë në vit do të paguajnë vetëm 5 për qind tatim mbi fitimin nga 15 për qind që paguajnë aktualisht. Ministria e financave ka nisur përgatitjen e draftit të ri që ndryshon kufijtë e xhiros për tatim fitimin, pas deklarimit nga Kryeministri Rama.

Aktualisht tatim-fitimi paguhet me tre fasha. Për bizneset me xhiro vjetore deri në 5 milionë lekë kjo taksë është zero. Për bizneset me xhiro nga 5 deri në 8 milionë lekë në vit tatim-fitimi është 5 për qind. Por nëse xhiro kalon mbi 8 milionë lekë atëherë tatim-fitimi rritet në 15 për qind.

Burime nga ministria thonë për Top Channel se kufiri i ri i xhiros për bizneset që paguajnë tatim fitimi të reduktuar do të rritet nga 8 milionë lekë në 14 milionë lekë në vit.

Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nga ky ndryshim do të përfitojnë 3 mijë biznese në rang vendi, për të cilat tatim fitimi ulet nga 15 për qind që është sot në 5 për qind.

Por si përkthehet kjo në llogaritë e biznesit. Për një ndërmarrje e cila realizon xhiro vjetore 14 milionë lekë tatim fitimi ulet nga 315 mijë lekë që është sot në 105 mijë lekë.

Drafti që ul tatim fitimin për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë pritet të miratohet në qershor. Por taksa e re do të hyjë në fuqi duke nisur nga 1 janari I vitit të ardhshëm, pasi sipas Ministrisë së Financave aplikimi i taksës në mes të vitit krijon probleme teknike duke I detyruar bizneset të paraqesin deklaratat tatimore me dy variante.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat