Rama: Dosja Xhafaj e konsumuar! Misioni i opozitës, bllokimi i negociatave e drejtësisë

Shqipëria

Rama: Dosja Xhafaj e konsumuar! Misioni i opozitës, bllokimi i negociatave e drejtësisë

Më: 10 maj 2018 Në ora: 12:45
Edi Rama

Opozita braktisi seancën plenare dhe fill pas kësaj foltores iu drejtua Kryeministri Edi Rama. Ai i lidhi akuzat e opozitës për trafik droge në drejtim të vëllait të ministrit të Brendshëm me reformën në drejtësi dhe hapjen e negociatave.

“Ajo që shihet zbuluar në këtë orvatje të re histerie është se vjen në kulmin e përpjekjes për të reformuar drejtësinë”, tha Rama.

Kryeministri iu referua heshtjes së ambasadorit amerikan si provë që akuzat e opozitës janë thjesht politike.

“Fakti është i njohur botërisht nga shqiptarët dhe nga ndërkombëtarët, se po të mos ishte, para se të flisnin këta të PD, do të kishte folur ambasadori amerikan, do të kishte folur Bashkimi Europian, do të kishin folur ata të cilët nuk kanë lënë rast pa folur, pasi nuk kanë lënë rast pa verifikuar. Ambasadori amerikan nuk iu referua hiç këtij lajmi sensacional të këtyre, por iu referua një fakti tjetër, për të cilët këta më akuzuan mua personalisht përsa i përket kreut të Krimeve të Rënda. Nëse do të kishte një fije të vërtetë, do të kishte dalë miku ynë i shtrenjtë, njohësi i kudondodhur i gjithë proceseve tona për të vënë drejtësi në këtë vend”, vijoi Kryeministri.

Rama thotë se misioni i vërtetë i opozitës është edhe bllokimi i hapjes së negociatave dhe hedhjen e baltës tek vendet skeptike.

“Këta duan të vazhdojnë atë që kanë nisur, të pengojnë hapjen e negociatave duke vazhduar të helmojnë sa të munden gjakun dhe mendjen e kujtdo, në çdo Parlament të atyre vendeve që sot mbeten kyçe për vendimin që mund të jetë i interesuar për të thënë jo”, shtoi ai.

Kryeministri thotë se të njëjtën dosje të Agron Xhafajt, Partia Demokratike, para se ta publikonte në shqip e kishte shpërndarë në anglisht tek ndërkombëtarët.

“Dosja e rizbulimit sensacional, sipas këtyre, ka filluar të shpërndahet në anglisht. Unë e kam mësuar se çfarë do të thonin këta nga ata që dosjen e kishin lexuar anglisht”, shtoi ai.

Kryeministri shton se në gjashtë vite që socialistët janë në pushtet, nuk ka asnjë kërkesë qoftë formale apo informale nga autoritetet italiane për Agron Xhafajn, vëllain e Fatmir Xhafajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat