Kush është prokurori që do të vendosë fatin e Adriatik Llallës

Shqipëria

Kush është prokurori që do të vendosë fatin e Adriatik Llallës

Më: 12 maj 2018 Në ora: 14:38
Adriatik Llalla

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar dosjen hetimore në ngarkim të ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Ky i fundit po hetohet që nga muaji mars për katër vepra të ndryshme penale. Dosja vjen nga Prokuroria e Durrësit te Krimet e Rënda, pasi e para shpalli moskompetencë. Gjithashtu, vlen të theksohet se kjo dosje regjistrohet te Krimet e Rënda pas lëvizjeve të fundit, ku u shkarkua nga posti drejtues kreu i saj, Besim Hajdarmataj.

Vendin e tij e zuri Donika Prela, që më parë ishte e komanduar pikërisht në Prokurorinë e Durrësit që nisi hetimet ndaj Llallës.“Panorama” mëson se dosja i është caktuar prokurorit Klodian Braho. Prokuroria Durrësit pati regjistruar procedimin penal në ngarkim të ishKryeprokurorit Llalla më 15 mars të këtij viti.

Veprat penale, për të cilat po hetohet Llalla përfshijnë “refuzimin për deklarim, mosdeklarim, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurisë”, mosdeklarim të shumave të të hollave në kufi”, “pastrim të produkteve të veprës penale” dhe “shpërdorim detyre” të parashikuar nga nenet 257/ a, 179/a, 287 dhe 248 të Kodit Penal.

Deri më tani, dihet se ndaj Llallës ka nisur verifikimi pasuror për shitjen e disa pronave dhe se ka mospërputhje sa u përket shumave të deklaruara. Vetë ishKryeprokurori hoqi dorë nga privilegji ligjor për t’u zgjedhur gjyqtar në Apelin e Tiranës pas përfundimit të mandatit të tij në krye të Prokurorisë dhjetorin e shkuar. Në këtë mënyrë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me vendimin e datës 16.02.2018, vendosi që të ndërpresë procesin e rivlerë- simit ndaj tij.

Mirëpo, një muaj më pas, Prokuroria e Durrësit regjistroi procedim penal për ish-Kryeprokurorin. Edhe vetë Kryeprokurorja Marku, në një intervistë televizive nuk e mohoi skenarin e hetimit të ishKryeprokurorit. Kujtojmë se ish-Kryeprokurori u përplas publikisht edhe me ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu.

Përplasja e parë nisi për emrat e kandidatëve që Prokuroria e Përgjithshme duhet të dërgonte në Kuvend sa i përket Reformës në Drejtësi. Prokuroria e Përgjithshme e drejtuar nga Llalla dërgoi vetëm tre emra, ndërkohë që duhej të dërgonte më shumë, pasi prej tyre do të zgjidheshin po tre kandidatë. Kjo lëvizje pasoi edhe me bllokimin e vizës së ishKryeprokurorit nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Gjatë këtij viti përplasjet nisën sërish, kur një letër e ishKryeprokurorit dorëzuar Kongresit Amerikan në vitin 2017 shkruante se Lu i kishte kërkuar ish-Kryeprokurorit arrestimin e Metës në cilësinë e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë. Për Llallën ka dyshime për mënyrën se si ka vënë pasurinë.

Ai ka blerë toka me çmime shumë të ulëta kur ushtronte detyrën e Kryeprokurorit dhe pas rivlerësimit, vlerat e pronave janë rritur me dhjetëra herë. Ndërkohë, Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të shqyrtojë më 16 maj të këtij viti ankimimin e komisionarit publik, i cili kërkon që procesi i vetingut ndaj Llallës të kryhet, pavarësisht dorëheqjes. Nuk dihet ende nëse Llalla do të jetë prezent në seancë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat