Prokuroria nis verifikimet për vëllanë e Fatmir Xhafajt

Shqipëria

Prokuroria nis verifikimet për vëllanë e Fatmir Xhafajt

Më: 13 maj 2018 Në ora: 10:16
Fatmir Xhafaj

Prokuroria ka nisur verifikimin për çështjen e shtetasit Agron Xhafaj, i cili është vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. 

Burimet brenda Prokurorisë së Përgjithshme, i thanë “Panoramës” ditën e djeshme se verifikimet kanë nisur të kryhen, kryesisht, pas denoncimeve të njëpasnjëshme të Partisë Demokratike se vëllai i ministrit është dënuar në Itali për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Këto verifikime do të bëhen edhe në kuadër të ligjit antimafia, çka do të thotë se janë kompetencë lëndore e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në këtë mënyrë, pasuria e Agron Xhafës do të kalojë në sitën e organit të Akuzës, çka mund të prekë edhe vetë ministrin që është familjar i tij.

Gjithashtu, po verifikohet nëse ka urdhërarrest të mbërritur në Shqipëri apo kërkesë për ekstradim, edhe pse këto janë mohuar nga ish-ministri teknik i Drejtësisë, Gazmend Bardhi.

Ditët e fundit, Partia Demokratike ka lëshuar akuza të forta ndaj ministrit Xhafaj për vëllanë e tij, duke e akuzuar atë se ka fshehur dënimin e tij me 7 vjet e dy muaj burgim në Itali. Madje, PD publikoi edhe dosjen dhe vendimin e Gjykatës italiane.

Vetë ministri Xhafaj është distancuar në një dalje publike nga veprimet e vëllait të tij, e megjithatë ai tha se Agron Xhafaj u gjend në vendin e gabuar me njerëzit e gabuar. Por le t’i rikthehemi dosjes së publikuar nga PD, e cila thotë se Gjykata e Kasacionit në Itali, me vendimin e datës 25 shtator 2012, ka rrëzuar ankimin e Agron Xhafajt, duke lënë në fuqi vendimin e 12 tetorit 2008, që e dënon atë me 7 vjet e dy muaj burgim.

Bëhet fjalë, sipas PD, për një vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Leçes dhe është vendim i formës së prerë. PD thotë se Agron Xhafaj është shpallur fajtor për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, që kishte për synim trafikun ndërkombëtar të drogës përmes Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Xhafaj bënte pjesë në një prej grupeve kriminale që shkëmbeu 50 kg heroinë me 300 kg kokainë me një grup tjetër.

Gjithashtu, PD thotë se Xhafaj është akuzuar edhe për drejtimin e një rrjeti të shpërndarësve të heroinës, kanabisit dhe kokainës në Bolonja të Italisë. Gjithashtu, sipas PD-së, ka pasur edhe lidhje me trafikantë nga Shqipëria.

Dosja, sipas PDsë, posedon edhe përgjime telefonike që kanë implikuar vëllanë e ministrit Xhafaj. Çështja e vëllait të Fatmir Xhafajt ka ndezur edhe replika mes Kryeministrit Rama dhe ambasadorit Lu.

Ky i fundit deklaroi se çështja po ndiqej me përparësi nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Pas këtyre deklaratave, Prokuroria e Përgjithshme urdhëroi verifikim për rastin. PD kërkon dorëheqjen e ministrit Xhafaj, ndërsa ky i fundit mbrohet se ka qenë një prej personave që ka punuar më shumë për Reformën në Drejtësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat