Vendimi i KPK për gjyqtarin e Apelit, nuk justifikoi farmacinë e bashkëshortes

Shqipëria

Vendimi i KPK për gjyqtarin e Apelit, nuk justifikoi farmacinë e bashkëshortes

Më: 13 maj 2018 Në ora: 18:01
Pamje nga vendimi i KPK-së

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur vendimin për shkarkimin e gjyqtarit të Apelit të Durrësit, Besim Trezhnjeva.

Ky i fundit ishte edhe kandidat për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe pati përparësi në procesin e vetingut.

Sipas vendimit të KPK-së, gjyqtari Trezhnjeva ka bërë deklarime të pasakta të pasurisë, ka mungesë të burimeve të ligjshme financiare për të justifikuar shumën prej 20.133.36 lekësh, ka fshehur pasurinë, si edhe ka bërë edhe deklarime të rreme të saj.

Kështu, sipas hetimit administrativ të KPKsë, gjyqtari ka qenë subjekt i deklarimit të pasurisë nga viti 2003 deri në vitin 2016. Nga hetimi rezulton se gjyqtari Trezhnjeva ka probleme me pasurinë në 9 deklarata pasurie dhe nuk ka probleme me pasurinë në 5 deklarata.

Konkretisht, për vitin 2003, Trezhnjeva ka deklaruar 1.464.702 lekë të ardhura, 792.857 shpenzime, një pasuri prej 7.467.516 lekësh. Por KPK konstaton se të ardhurat e pajustifikuara për këtë vit për gjyqtarin janë 6.795.671 lekë. Për vitin 2004 dhe 2005 nuk vërehen probleme, ndërsa në vitin 2006, gjyqtari del me 3.655.000 lekë të pajustifikuara.

Edhe vitin pasardhës, ai ka para të pajustifikuara në vlerën 1.001.628 lekë. Kulmi arrin në vitin 2008, ku gjyqtari Trezhnjeva del me 8.807.251 lekë pasuri të pajustifikuar.

Deklaratat e tij me probleme janë edhe ato të vitit 2010, 2011, 2012, 2013 dhe 2014. Në përfundim të hetimit administrativ, KPK ka dalë në përfundimin se Trezhnjeva nuk ka pasur burime financiare të mjaftueshme për krijimin e farmacisë së bashkëshortes, mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë në vlerën prej 20.133.368 lekësh dhe se ka deklarim të rremë në lidhje me një kredi në shumën 50 mijë euro, të marrë nga një bankë e nivelit të dytë për blerjen e një apartamenti në Tiranë. Në fakt, KPK ka konstatuar se me këtë kredi, është blerë një apartament në Durrës dhe Trezhnjeva ka bërë deklarim të rremë të pasurisë.

Gjyqtari është mbrojtur për pasurinë e tij, duke thënë se vetëm nga rimbursimi i barnave në farmacinë e së shoqes, ka xhiruar më shumë para sesa ka nxjerrë KPK me burim të pajustifikueshëm. Pavarësisht pretendimeve të Trezhnjevës, KPK vendosi ta shkarkojë gjyqtarin Trezhnjeva më datë 13 mars të këtij viti. Trupa gjykuese përbëhej nga Alma Faskaj kryesuese, Roland Ilia anëtar dhe Firdes Shuli si relatore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat