Ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, do të dalë sot në 11:00 para Gjykatës së Krimeve të Rënda për verifikimin e masës së sigurisë dhe do të merret në pyetje.
Këtë herë ish-Ministrit do t'i duhet të shoqërohet me policë nga banesa e tij tek "Kodra e Diellit" për në sallën e gjyqit.
Gjyqtare e seancës do të jetë Liliana Baku.
Tahiri akuzohet për trafik të narkotikëve në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror në kuadër të hetimeve për dosjen "Habilaj".
Prokuroria është shprehur se ka prova të reja për ish-Ministrin nga letërporositë e Greqisë dhe Italisë dhe dëshmitë e marra brenda dhe jashtë vendit.
Gjykata e Krimeve të Rënda dha të shtunën e 12 majit vendimin për masën e sigurisë "arrest shtëpie".
Prokurët e çështjes Dritan Prençi dhe Vladimir Mara kërkuan masën "arrest me burg" por gjykata mori parasysh rrezikshmërinë e ulët shoqërore.
Avokati i Tahirit, Maks Haxhia, por dhe prokurorët kanë paralajmëruar se do të apelojnë vendimin.
Ndërkohë zhvillimet e fundit kanë vënë në lëvizje Prokurorinë e Krimeve të Rënda por dhe policinë e shtetit.
Drejtuesja e re e krimeve të Rënda zhvilloi mesditën e së hënës, (14 maj) një takim me shefin e sektorit të hetimit të krimit të Organizuar në Policinë e shtetit, Eduard Merkaj. Takimi zgjati rreth një orë.