Prokurori i përmend përgjimin: Ke takuar pronarin e skafit për ta intimiduar! Tahiri: I kam kërkuar falje

Shqipëria

Prokurori i përmend përgjimin: Ke takuar pronarin e skafit për ta intimiduar! Tahiri: I kam kërkuar falje

Më: 15 maj 2018 Në ora: 14:46
Skafi

Dalin detaje të reja nga seanca e zhvilluar ditën e sotme për dhënien e masës së sigurisë ndaj ish-ministrit Tahiri. Avokati i Tahiri ka kërkuar që ta lënë të lirë ish-ministrin pasi nuk ka prova që vërtetojnë se klienti i tij është përfshirë në trafik droge.

Nga ana tjetër Tahiri është shfaqur ironik në sallën e gjyqit duke u shprehur se për të nuk ka ndryshim nëse është në burg apo në shtëpi. Po ashtu ai ka replikuar më gjyqtarët duke u thënë se të gjitha grupet kriminale në vend duhet t’ia faturojnë atij meqë qenka kaq i rrezikshëm.

Po ashtu, ish-ministri i ka akuzuar prokurorët se kanë abuzuar me faktet, duke shkruar gënjeshtra.

Prokurorët kanë kërkuar që Tahiri të mos lirohet pasi dyshojnë që mund të intimidojë dëshmitarët e çështjes, duke përmendur këtu një takim të ministrit me Orgest Liperin, pronarin e skafit me të cilin ka udhëtuar drejt Greqisë.

Prokurori tha se Tahiri e ka takuar për ta intimiduar, duke treguar madje se ata kishin përgjuar takimin mes të dyve. Ata po ashtu ngulën këmbë se edhe ish-ministrja e Brendshëm Elona Gjebrea nuk ka thënë të vërtetën. Por ministri nga ana e tij është shprehur se Liperin e ka takuar për t’i kërkuar ndjesë që u përfshi në të gjithë këtë histori.

“Nuk kam pasur qëllim ta intimidoj, i kam kërkuar falje që e përfshiva në këtë mesele. Bëra detyrën time qytetare. Nuk kisha mundësi të ndikoja tek qytetari. Takimi me të pak ditë pasi kishte dhënë dëshminë e tij, por thjesht i kërkova ndjesë”, – mësohet të ketë thënë në gjyq ish-ministri.

Një nga dëshmitë e administruara në dosjen hetimore të Prokurorisë për Krime të Rënda është edhe ajo e Orges Liperit. Ky person figuron sipas prokurorisë si pronari i ligjshëm i skafit që ka përdorur për një kohë të gjatë Saimir Tahiri kur ishte ministër i Brendshëm, kryesisht gjatë pushimeve.

DEKLARATA E ORGES LIPERIT NE DOSJEN HETIMORE

“Sipas deklaruesit, mjetin lundrues “Auras” e bleu tek një shtetas italian me ndërmjetësinë e një miku të tij, Roni Shqopa. Blerja u bë në Durrës dhe në ditën kur dorëzoi lekët, mori mjetin lundrues që ndodhej në Portin e Durrësit dhe që ishte i pajisur me karel. Nuk i kujtohet të ketë përpiluar kontratë shitje në Shqipëri. Me procedurat e zhdoganimit dhe regjistrimit të mjetit të kryera në datë 06.08.2014, u mor agjencia doganore dhe për kryerjen e tyre me shpejtësi, ndikoi Roni Shqopa, i cili paraprakisht i kishte kërkuar që këtë mjet t’ia linte në përdorim Saimir Tahirit.

Nuk kujton të ketë përpiluar dokument për lënien në përdorim të mjetit dhe nuk tregoi interes për të. Mjetin nuk e përdori, por në ndonjë rast pagoi tarifë për lëvizjen me vinç. Gjithashtu, mjetit lundures në vitet 2015 dhe 2017 iu bë servis në Itali. Pagesat u kryen nëpërmjet llogarisë bankare në emrin e tij. Ishin shtetasit Boge Budini dhe Roni Shqopa, që e njoftuan për servisin e bërë dhe i sollën edhe faturat. Faturat iu paguan një servisi në Jug të Italisë dhe kishin vlerë 30 000 Euro.

Ndërsa nuk njihte shtetasit Artan dhe Moisi Habilaj, shtetasin Naim Brahimaj kishte mundur ta fiksonte si personin që merrej me mjetin lundrues të regjistruar në pronësinë e tij. Para disa muajsh (referuar ditës së dhënies së deklarimeve), pas njoftimit të Roni Shqopës për urdhërin që ndalonte qëndrimin e mjeteve lundruese në port, mjeti lundrues i tij u dërgua tek Resorti i Arben Likmetës.

Shtetasin Saimir Tahiri e takoi pas paraqitjes në prokurori, pra pas datës 26.04.2018. Takimi iu kërkua nëpërmjet Roni Shqopës. U takuam në Tiranë dhe në takim, krahas shokut të tij Elvin Kuraja ishte Saimiri dhe bashkëshortja e tij. Në takim, Saimiri i kërkoi ndjesë për shqetësimin që i ishte krijuar nga thirrja në prokurori”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat