25-vjeçari nga Berati, në ndjekje të ëndrrës amerikane

Shqipëria

25-vjeçari nga Berati, në ndjekje të ëndrrës amerikane

Më: 16 maj 2018 Në ora: 21:06
Ardiol Hoxha prej tre vitesh aplikon në Lotarinë Amerikane dhe dy herët e para nuk ka patur sukses, megjithatë ai po provon

Ardiol Hoxha, 25 vjeç nga Berati, jeton në Tiranë, ku punon si gazetar dhe pasditen e 15 majit nxitonte të shkonte për të parë nëse i ka dalë Lotaria Amerikane.

Prej tre vitesh aplikon në Lotarinë Amerikane dhe dy herët e para nuk ka patur sukses, megjithatë ai po provon. Vitet e fundit ka patur një rritje të numrit të aplikuesve të Lotarisë Amerikane. Shifrat janë përmendur disa herë, ndërsa tre vite më parë, kur edhe Ardioli aplikoi, 200 mijë shqiptarë kërkuan ëndrrën amerikane.

“Kam mbaruar studimet për gazetari, e kam një profesion. Jam në marrëdhënie pune aktualisht. Përsa i përket Lotarisë Amerikane, e kam vitin e tretë radhazi që e provoj. Të shohim këtë vit, duke qenë se është hera e tretë, ndoshta e treta e vërteta”, thotë Ardioli.

Ardioli ka ruajtur prej muajsh kodin e aplikimit të tij. Ai bën shaka duke thënë se nuk është përzgjedhur sepse nuk është nga Korça. Megjithëse përkatësia krahinore për të fituar Lotarinë Amerikane është thjesht një legjendë urbane, për Ardiolin doli e vërtetë: ai nuk është zgjedhur edhe këtë herë.

“Mesa duket edhe këtë vit fati nuk është me mua. Ndoshta është e shkruar që të vazhdoj profesionin si gazetar. Do ta provoj përsëri”, deklaron Ardioli.

Me qindra shqiptarë morën përgjigjjen pozitive për të nisur ëndrrën amerikane, ashtu si mijëra të tjerë që kanë emigruar drejt Shteteve të Bashkuara me lotarinë e njohur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat