Katër pikat e errëta ku çalon rrëfimi i dëshmitarit X

Shqipëria

Katër pikat e errëta ku çalon rrëfimi i dëshmitarit X

Më: 18 maj 2018 Në ora: 10:33
Albert Veliu

Dëshmia e Albert Veliut, i njohur ndryshe edhe si dëshmitari X, ka trazuar opinionin publik në Shqipëri.

Megjithatë edhe intervista e tij ka disa pikëpyetje. Jo më kot portalet pranë qeverisë janë munduar të merren me imazhin e tij, kurse demokratët janë mbrojtur duke thënë se ai nuk është një profesor, por një trafikant që e pranon hapur.

Por a ka kontradikta tek dëshmia e tij?

Lapsi.al shkruan se ka së paku katër kontradikta.

Dëshmitari X pohoi, madje këmbënguli se përgjimin nuk e kishte bërë ai. Megjithëse pak e besueshme mund të merret e mirëqenë. Por nuk kaloi shumë dhe ai ra ne kontradiktë të thellë kur u pyet në videon e shfaqur se pse kishte vendosur ta shpinte ata bisedë të përgjuar tek PD. Thënia e tij se ky është i vetmi institucion i besueshëm në vend, jo vetëm që tregon përkatësinë politike të tij, por dëften se ai është kontradiktor në faktin nëse e ka bërë apo jo vetë përgjimin.

Pika e dytë e errët e rrëfimit të Albert Veliut është se nga njëra anë ai pretendon se nuk kishte ndërmend t’i kthehej botës së errët të trafikut, e cila i kishte kushtuar disa vite burg, por se gjithë këtë histori po e bënte për të “provuar” Agron Xhafën. Pra sipas tij kjo qe thjesht një provë dhe jo një nismë për t’u rifutur në xhiro. Po pyetja shtrohet a mundet nje njeri i papunë, që jeton në varfëri siç tregon vetë, të shkojë e të blejë 20 kg hashash thjesht për të provuar një ish mikun e tij apo thjesht për një hakmarrje të 15 viteve më parë.

Pika e tretë është se po në rrëfim, Veliu pranon se u bënë gati për ta eksportuar mallin vetëm se ditën e fundit shefi i policisë me emrin tashmë të njohur, Ermal, i tha se ishte e pamundur sepse bënte kohë e keqe dhe det i madh. Po nëse nuk do ishin ngritur dallgë dhe nuk do qe përkeqësuar moti, si do të tërhiqej Veliu nga pakti mafiz që kishte bërë. Si një njeri që ka pasur lidhje me botën e krimit, ai e di se tërheqje të tilla nuk të kushtojnë vetëm paratë, por shumë më tepër. Pra sipas të gjitha gjasave ai ose nuk e kishte këtë punë për provë dhe donte ta tentonte vërtet, ose nga ana tjetër donte ta çonte aksionin deri në fund, për të treguar se Agron Xhafaj e vazhdon trafikun edhe tani që i vëllai i tij është ministër.

Një hije tjetër dyshimi hodhi të enjten në mbrëmje në emisionin “Të paekspozuarit” gazetari Karlo Bolino, i cili pasi kishte shqyrtuar dokumentet italiane, pretendoi se Veliu nuk ishte arrestuar në vitin 2005, siç deklaron në rrëfim, por disa vite më pas, në vitin 2009. Pra, sipas tij, ky ndryshim i qëllimshëm datash e zbehte motivin e veprimit për hakmarrje ndaj një njeriu që nuk i kishte çuar një paketë cigare në burg. Sipas Bolinos, kjo bëhej për të afruar më shumë historitë paralele të Albert Veliut dhe Agron Xhafajt. Por fakti qëndronte se dëshmitari X kishte gënjyer për datën e burgosjes në Itali.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat