Tiranë, aktivitet sensibilizues për parandalimin e aksidenteve

Shqipëria

Tiranë, aktivitet sensibilizues për parandalimin e aksidenteve

Më: 19 maj 2018 Në ora: 00:07
Aktiviteti

Shërbimi Kombëtar për Rininë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Shoqata Kombëtare e Autoshkollave zhvilluan aktivitetin sensibilizues me temë:
“Si të parandalojmë një aksident të mundshëm rrugor si kalimtar, ose si drejtues mjeti”.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte edukimi i të rinjve, si një nga prioritetet për integrimin e tyre në shoqëri dhe më gjerë.

Për të nxitur formimin e të rinjve në fushën e sjelljes rrugore dhe të sigurisë së trafikut e të qarkullimit, për një njohje të përgjithshme të përdorimit të rrugës dhe sinjalistikave rrugore që kjo grupmoshë has në përditshmërinë e saj, në përballjen e drejtpërdrejtë me trafikun dhe situata të ndryshme duke qenë në rolin e përdoruesit të rrugës, me qëllim parandalimin e një aksidenti të mundshëm rrugor, ata duhet:

– Të kuptojnë sinjalistikën rrugore, sinjalistikën e ndritshme, sinjalistikën vertikale, sinjalistikën horizontale apo sinjale të tjera shtesë dhe sinjalet që ju jepen nga drejtuesit e mjeteve dhe nga polici i trafikut;
– Të jenë të kujdesshëm në zgjedhjen e rrugës së përditshme për në shkollë;
– Të dinë ku dhe si të thërrasin për ndihmë në rast të një emergjence;
– Të jenë të vetëdijshem për kohën që i duhet mjetit të frenojë në mënyrë që të shmangë përplasjen;
– Të kuptojnë që drejtimi i mjetit ndikohet nga kushtet atmosferike, të jenë të vetëdijshëm për pasojat që vijnë për shkak të motit;
– Të kenë parasysh faktin që rregullat e qarkullimit rrugor nuk respektohen gjithmonë nga përdoruesit e tjerë të rrugës, ndaj kujdesi i tyre duhet të jetë më i madh;
– Të kuptojnë cilat sinjalistika rrugore janë paralajmëruese dhe cilat janë informuese;
– Të dinë që përdorimi i alkoolit, drogës/substancave të tjera narkotike apo lodhja, bëhen shkak për aksidente rrugore;
– Të vlerësojnë dhe t‘u japin përparësi nevojave të shtresave të caktuara shoqërore –fëmijët, të moshuarit dhe ata me aftësi të kufizuara;
– Të jenë një shembull i mirë për të gjithë;
– Të përdorin gjithmonë sistemet fiksuese kur janë pasagjerë në një mjet dhe të ndërgjegjësojnë këdo që kanë pranë për përdorimin e këtyre sistemeve;
– Të kuptojnë që mjetet e transportit publik, kufizojnë fushëpamjen, ndaj të bëjnë kujdes;
– Të identifikojnë dhe t’u rekomandojnë fëmijëve të vegjël vende të sigurta për të luajtur;
– Të kuptojnë që kafshët shtëpiake dhe kafshët e egra në rrugë shkaktojnë aksidente;
– Të jenë të kujdesshëm kur drejtojnë biçikletat;
– Të njohin rregullat e qarkullimit në rrugë dhe përgjegjësinë për t’i ndjekur përdoruesit e rrugës;
– Të jenë në gjendje të gjykojnë shpejtësinë dhe distancat;
Për të gjitha argumentet dhe për masat parandaluese të një aksidenti të mundshëm rrugor kur drejton një mjet, u bashkëbisedua në takimin e organizuar në mesditë në parkun “Rinia” me nxënësit e shkollave të mesme.
Vijueshmëria e aktiviteteve ndërgjegjësuese me shkollat e mesme në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, do jetë një nga programet e ardhshme të SHKR-së./ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat