Elbasani, mundësi bashkëpunimi me qytetin Varazhdin në Kroaci

Shqipëria

Elbasani, mundësi bashkëpunimi me qytetin Varazhdin në Kroaci

Më: 19 maj 2018 Në ora: 22:39
Ambasadorja e Kroacisë Sanja Bujas Juraga, takim me Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini

Elbasani do të bashkëpunojë me qytetin Varazhdin në Kroaci, një qytet po ashtu me ujëra termale si Tregani dhe me turizëm mjekësor të zhvilluar.

Propozimi u parashtrua nga ambasadorja e Kroacisë në vendin tonë, Sanja Bujas Juraga, e cila zhvilloi sot një takim me Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini.

Duke u njohur me zonat e zhvillimit dhe zonat turistike të Elbasanit, ambasadorja shtroi mundësinë e bashkëpunimit të Elbasanit me qytetin Varazhdin në Kroaci.

Ambasadorja shprehu mbështetjen maksimale të qeverisë kroate për popullin mik shqiptar duke e asistuar në rrugën e tij drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, por edhe bashkëpunimin me pushtetin vendor.

Në takim u diskutua rreth zhvillimeve në qytetin e Elbasanit, mundësitë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dhe thithjen e investitorëve kroatë në Elbasan.

Sejdini e njohu ambasadoren me një qytet i cili ka patur zhvillime të jashtëzakonshme, por që sërisht mbetet punë për t’u bërë për të bërë një qytet modern.

Si Kryetar Bashkie, tha Sejdini, realizova qëllimin më të madh, atë të çlirimit të ajrit të qytetit nga fusha kancerogjene e djegies së mbetjeve urbane, por tashmë një detyrë po kaq e madhe është garantimi me 24 orë ujë të pijshëm për të gjithë qytetin.

Po ashtu, infrastruktura e qytetit do të përfundojë brenda këtij viti, tha Sejdini, dhe do të sistemohen qendrat e njësive administrative.

Kryetari i Bashkisë e njohu ambasadoren me synimin e çeljes së një zyre në Bruksel me qëllim thithjen e investimeve të huaja, sigurisht me mbështetjen e vendeve anëtare të BE-së./ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat