U inaugurua sot rruga kufitare Shishtavec-Krushevë, ku e pranishme ishte dhe Ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin.
Vlahutin u shpreh kundër ndërtimit të HEC-eve në këtë zonë duke theksuar se “kjo zonë duhet ruajtur kështu siç është, sepse është një habitat unik natyror dhe është shumë herë më i rëndësishëm që të ruhet kështu, sesa gjithçka tjetër që mund të ndërtohet në të.”
Bashkia Kukës ka një Plan të Përgjithshëm Vendor dhe aty Shishtaveci është planifikuar si një zonë me prioritet zhvillimin e turizmit malor.
Sa i përket mirëmbajtjes së rrugës Kukës-Shishtavec, kryebashkiaku Shehu u shpreh se bashkia është në negociata me Prefekturën që rruga t’i kalohet për mirëmbajtje Autoritetit Rrugor Shqiptar, pasi bashkia nuk ka as fondet, por as mjetet e nevojshme për mirëmbajtjen e saj./ATSH