Kush është biznesmeni i arrestuar për mashtrim, ish-administrator i spitalit privat

Shqipëria

Kush është biznesmeni i arrestuar për mashtrim, ish-administrator i spitalit privat

Më: 24 maj 2018 Në ora: 09:16
Ilustrim

Një biznesmen 50- vjeçar është arrestuar dje nga oficerët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar të Policisë së Tiranës, pasi dyshohet për veprën penale të mashtrimit.

Bëhet fjalë për shtetasin Lefter Sulkaj, i cili më herët mbante detyrën e administratorit të Spitalit Gjerman dhe njëkohësisht ka në pronësi edhe një kompani farmaceutike.

Burime nga Policia e Tiranës thanë se ndalimi i tij është bërë pasi Gjykata e Apelit ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale të mashtrimit. Masa e sigurisë është vendosur më 18 gusht të vitit të kaluar.

“Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar u ndalua shtetasi në kërkim, Lefter Sulkaj, 50 vjeç, banues në Tiranë. Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Apelit Tiranë ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’, për veprën penale ‘Mashtrimi’, parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal”, tha dje zyrtarisht Policia e Tiranës. Burimet nuk sqarojnë saktësisht se për çfarë mashtrimi bëhet fjalë, duke qenë se çështja është ende në hetim nga ana e Prokurorisë.

VENDIMET E GJYKATAVE

Prokurori i çështjes, pasi ka shqyrtuar dosjen e akuzave ndaj Lefter Sulkajt, i ka kërkuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, masën e sigurisë “arrest me burg”. Në fashikullin e dërguar në Gjykatë, prokurori arsyetonte se Sulkaj dyshohej të kishte konsumuar veprën penale të parashikuar nga neni 143/2 të Kodit Penal. Në bazë të këtij arsyetimi, Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe më 27 korrik 2017 vendosi masën “arrest me burg”.

Por Lefter Sulkaj kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë, me pretendimin se kjo ishte një çështje civile dhe jo penale. Pas shqyrtimit të kërkesës së tij, e njëjta Gjykatë, me një tjetër gjyqtar, rrëzoi Prokurorinë, duke ndryshuar masën, më 6 gusht 2017, nga “arrest me burg”, në “arrest shtëpie”.

Por Prokuroria e Tiranës apeloi vendimin në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar rrëzimin e kësaj mase dhe rikthimin në burg të biznesmenit Lefter Sulkaj. Gjykata e Apelit pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke hedhur poshtë masën e Shkallës së Parë dhe caktoi sërish “arrest me burg” për 50-vjeçarin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat