Rama: Shqipëria, i vetmi vend ku opozita shkatërron procesin e integrimit

Shqipëria

Rama: Shqipëria, i vetmi vend ku opozita shkatërron procesin e integrimit

Më: 24 maj 2018 Në ora: 12:03
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, nga foltorja e Kuvendit, deklaroi në lidhje me rezolutën e anëtarësimit në Bashkimin Europian se “kur jemi në metrat e fundit të një rruge shumë të gjatë dhe opozita duhet të votojë një rezolutë jo të njëanshme, por shprehje të vullnetit të popullit shqiptar, ajo refuzon ta votojë atë”.

“Një parti braktis sallën kur bëhet fjalë për një rezolutë me interes kombëtar. Duke u votuar vetëm nga ne kjo rezolutë, kthehet problem në përpjekjen tonë për të bindur vendet anëtare sepse është rezolutë e njëanshme dhe cilido që është kundër çeljes së negociatave, këtë rezolutë mund ta ketë një arsye më shumë për të thënë se Parlamenti shqiptar nuk është unanim për çeljen e negociatave. Natyrisht që në Berlin dhe Paris, këta individë nuk lënë argument pa shfrytëzuar. Nuk mund të fajësojmë ata që nuk kanë kohë e mundësi që të thellohen e të mësojnë se si qëndron e vërteta. E vërteta është se absolutisht të gjithë ata që merren me Shqipërinë, edhe ata që janë në pozicion kundërshtues, e kanë të vështirë të kuptojnë se si ka mundësi që Shqipëria është i vetmi rast në gjithë historinë e procesit të integrimit që nuk ka konsensus dhe unitet në komunikimin me të huajt, por ka një opozitë që nuk lë gur pa lëvizur për ta shkatërruar procesin”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi se edhe në Maqedoni e Bullgari, ku ka shumë konflikte politike, kur vjen puna për Evropën politika bashkohet.

“Në Maqedoni e dimë sa e vështirë është bashkëjetesa shumicë-opozitë, por kurrë nuk ndodh kjo që ndodh këtu te ne; Në Bullgari jeta politike është shumë konfliktuale, por qysh kur nisi përgatitja për presidencën bullgare, shumica dhe opozita u ulën në tryezë dhe u bënë bashkë sepse brenda kufijve ka mendje të ndryshme, si në çdo familje, por jashtë kufijve populli dhe flamuri janë një”, u shpreh Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat