“O karagjoz, bilbil palaço!” Gjuha që "përfaqëson" popullin shqiptar

Shqipëria

“O karagjoz, bilbil palaço!” Gjuha që "përfaqëson" popullin shqiptar

Më: 24 maj 2018 Në ora: 17:59
Komisioni i ligjeve

Opozita i ka qëndruar skenarit të bllokimit të komisioneve parlamentare të mërkurën në Kuvend.

Përfaqësuesit e opozitës kanë vendosur të pamundë- sojnë vijimin normal të diskutimit të ligjeve në Kuvend për aq kohë sa maxhoranca dhe vetë Kryeministri nuk mbajnë një qëndrim për ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Mbledhja e Komisionit të Ligjeve nuk mundi të ketë normalitet për asnjë moment të sajin, ndërkohë që deputeti i PD-së, Klevis Balliu, për mbi 30 minuta ripërsëriti pyetjen e tij se a ka vend në BE, ku një ministër i Brendshëm ka vëlla të dënuar për trafik të lëndëve narkotike.

Tensionet në sallën e komisionit përfshinë edhe vetë përfaqësuesit e maxhorancës ku në të paktën dy raste, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, u përplas me kolegët e tij të PS-së, Jurgis Çyrbja dhe Alket Hyseni.

DEBATI NË KOMISIONIN E LIGJEVE

Klevis Balliu: A mund të ma japësh fjalën për procedurë?

Ulsi Manja: Nuk shkon të flasësh ti pas dy profesorëve të nderuar. Të lutem tani. Nuk më duket normale. Zhurma duhet sepse ju do të ikni pas zhurmës, por nuk është normale.

Klevis Balliu: Kam katër ditë që kam kërkuar fjalën. A ka mundësi të bëj një pyetje për të gjithë deputetët e maxhorancës? Nuk është serioze kjo. Po bëhemi një tufë me karagjozë këtu.

Ulsi Manja: Zonja Çinari, vazhdoni.

Dorina Çinari (zv/ministre): S’kam mundësi të flas nga zhurmat.

Ulsi Manja: Vazhdo edhe pa mikrofon…

Dorina Çinari: Projekti, linja e transmetimit…

Enkelejd Alibeaj: Prit, moj, prit ti. Po flet deputeti aty, ke respekt ti? Ça na thua linja e transmetimit tani?

Klevis Balliu: Z.kryetar, kam 4 ditë që të kërkoj fjalën, përse ke frikë? Dje ike në drejtim të paditur, sot bën lojën e radhës. Pyetja ime është: Cili nga ju mendon se është normale që në një vend demokratik të ketë një ministër të Brendshëm, ku i vëllai është dënuar për trafik droge me 7 vjet e dy muaj burg.

Ulsi Manja: Ju lutem, kalojmë direkt në votim. Kush është dakord në parim?

Klevis Balliu: Pse nuk kthen përgjigje asnjëri?

Ulsi Manja: Kundra s’ka? Abstenim? Miratohet.

Klevis Balliu: Më ktheni një përgjigje.

Ulsi Manja: Vazhdojmë me pikën e dytë. Klevis Balliu: Po çfarë pika e parë, pika e dytë. Pika që nuk ju bie juve. Ça pikash do bëni ju? Keni ngelur pa pika, vetëm me viza kokaine. Vizat po ju drejtojnë.

Ulsi Manja: Sa bukur këndon mo, sa bukur këndon. Ke dy ditë që këndon në Komision të Ligjeve, u kënaqe.

Klevis Balliu: Po ka më bilbil se ty? Ke 8 vjet që bën bilbilin.

Ulsi Manja: Dje ishe me motive Pogradeci, sot me motive Tirane, u kënaqe.

Klevis Balliu: Unë bëj pyetje që i interesojnë opinionit publik.

Ulsi Manja: Po ku di ti të bësh pyetje? Ty s’të kanë thënë njeri punë e mbarë deri sot në jetën tënde. T’i s’ke punuar një ditë në jetën tënde. Zotërinj të ministrisë, zini vendet, sa të mbarojë këngën z.Balliu. Keni ndonjë koment? Jeni dakord? Atëherë, relatori z.Çyrbja, vazhdoni ju.

Jurgis Çyrbja: Po të hapin mikrofonat këta.

Klevis Balliu: Përse nuk i përgjigjeni pyetjes, përse jeni bërë një maxhorancë memecësh?

Ulsi Manja: Z.Çyrbja, përse nuk e shtyp mikrofonin? Ke ngrënë bukë apo jo? Shtype pra mikrofonin.

Jurgis Çyrbja: Z.kryetar, jemi dakord me këtë projektligj. Në këto kushte jam dakord ta hedhim në votim.

Ulsi Manja: E hedhim në votim. Kundër ka? Abstenim? Miratohet.

Klevis Balliu: Bravo, Enver Hoxha vazhdon miraton. Ulsi bëje atë ligjin ku qeveria dhe institucionet të mos inkriminohen. Përse nuk kthen përgjigje?

Ulsi Manja: Zotëri, jam për punë unë këtu. Nuk jemi në mbledhje partie. Juve ju ka ndodhur gjëma, por akoma nuk jeni duke e marrë vesh. Më dëgjoni mua. Kur je krenar ti, që ke në krye të opozitës një njeri që akuzohet për 250 milionë euro.

Klevis Balliu: Më kthe përgjigje? Pse s’kthen përgjigje?

Ulsi Manja: Po boll, se më shurdhove mo.

Klevis Balliu: Po ti ua ke nxirë jetën shqiptarëve, po më bëhet vonë mua se u shurdhove ti.

Ulsi Manja: Po boll, se na shurdhove. E ka marrë vesh opinioni publik që je bërë deputet. Ka tri ditë. Je deputet i Pogradecit.

Klevis Balliu: Vetëm këtë më thuaj. A është normale që vëllai i ministrit të Brendshëm ta ketë vëllain në burg?

Ulsi Manja: Po ta jap unë përgjigjen. Këtë përgjigje e ka dhënë opinionisti Fahri Balliu. “Është shumë normale”, ka thënë.

Alket Hyseni: Do të kërkoja, duke qenë se janë disa çështje për të diskutuar edhe me ekspertët që kanë formuluar ligjin, dhe duke qenë se drafti ka ndryshime të mëdha, unë kërkoj shtyrjen e diskutimit për mbledhjen tjetër.

Ulsi Manja: Z.Hyseni, faleminderit për sugjerimin, por projektligjet në Kuvend nuk mund të jenë çështje të oreksit të opozitës.

Alket Hyseni: Unë po të bëj propozim.

Ulsi Manja: Të lutem! Do vazhdojmë me rendin e ditës. Nuk miratohet kërkesa.

Alket Hyseni: Unë po të sugjeroj diçka, hidhe në votim.

Ulsi Manja: Jo, është një sugjerim. Mbledhjen e drejtoj unë.

Alket Hyseni: Ma hap mikrofonin.

Ulsi Manja: A e bërë sugjerimin? Çështja e rendit të ditës nuk hidhet në votim.

Alket Hyseni: A bëre pyetjen? Hape mikrofonin, të jap përgjigjen.

Ulsi Manja: Po, jo, mo, nuk dua përgjigje prej teje.

Alket Hyseni: Po hape pra mikrofonin.

Enkelejd Alibeaj: Mos u zini me njëri-tjetrin tani, se nuk është vendi të diskutojmë për çështjet që nuk keni rakorduar ju.

Ulsi Manja: Do kalojmë në rendin 14, mos bëni si kalamaj?

Enkelejd Alibeaj: Ore, do rregullosh gjuhën ti? Kujt i flet ashtu? U bëre ti?

Klevis Balliu: Ju jeni kalamaj. Shkoni mësoni të flisni me njëri-tjetrin. Na tregoni ju. Një tufë karagjozësh. Një tufë palaçosh./Panorama

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat