Ruçi shtron darkë për pjesëmarrësit në Mëngjesin e Lutjeve për Europën Juglindore

Shqipëria

Ruçi shtron darkë për pjesëmarrësit në Mëngjesin e Lutjeve për Europën Juglindore

Më: 25 maj 2018 Në ora: 21:26
Darka

Në mbrëmjen e datës 25 maj 2018, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi shtroi një darkë për pjesëmarrësit në Mëngjesin e Lutjeve për Europën Juglindore. Në pritje merrnin pjesë drejtues e përfaqësues të lartë të parlamenteve e qeverive, përfaqësues të shquar të botës intelektuale dhe komuniteteve të biznesit nga vendet e Europës Juglindore, SHBA, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia, Zvicra, Gjeorgjia, Jordania etj. si edhe ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. I pranishëm në takim ishte edhe z. Peter Morocco, Zëvendës Asistent Sekretar në Departamentin e Shtetit.

Mëngjesi i 15-të i Lutjeve për Europën Juglindore rikthehet në Tiranë pas 15 vjetësh. Mesazhi kryesor i kësaj veprimtarie, e cila zhvillohet në Tiranë, në datat 25-27 maj 2018, është dashuria për fqinjët.

Në fjalën që mbajti në këtë takim, Kryetari i Kuvendit Ruçi nënvizoi se “prej vitit 1953 e deri më sot, Mëngjesi i Lutjeve është shndërruar në një ditë të rëndësishme meditimi e reflektimi për të gjithë, shtetarë dhe njerëz të thjeshtë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në të gjithë planetin. Si një ortek mirënjohjeje, shprese e angazhimesh, kjo ngjarje po përfshin shumicën e popujve të botës.

Image

 

Mirëqenia e secilit prej vendeve tona nuk është e mundur pa mirëqenien e të tjerëve rreth nesh. Askush prej nesh nuk mund të jetë i sigurt, nëse qoftë edhe një fqinj i yni është i rrezikuar.  Prosperiteti i vendeve tona nuk është i mundur pa një sistem demokratik funksional, një shoqëri demokratike dhe qeverisje nga populli, për popullin dhe me popullin. Toleranca e popujve tanë të shërbejë si model frymëzimi për qeveritë e shtetarët. Ne duhet të marrim shembull nga njerëzit e thjeshtë, mësuesit, punëtorëve, policët, infermierët, fshatarët, nënat, gratë e vajzat tona, të nderojmë sakrificat, të punojmë për mirëqenien e sigurinë e tyre.

Nuk ka model më të mirë sesa organizimi i Mëngjesit të Lutjeve, për të treguar se kundërshtarët politikë janë edhe partnerë e bashkëpunëtorë për të mirën e njerëzve.

Nuk ka demokraci më të suksesshme e më funksionale sesa demokracia amerikane. Ne duhet të përpiqemi edhe më shumë që ky model të bëhet udhëharta e demokracisë në secilin prej vendeve tona.  Të tria degët e qeverisjes, legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori, kanë rol të pazëvendësueshëm në sistemin demokratik. Por roli i parlamenteve mbetet thelbësor dhe kusht i ekzistencës së Republikës,” përfundoi Ruçi./ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat