Turizmi në Shqipëri, një sektor me rritje të shpejtë

Shqipëria

Turizmi në Shqipëri, një sektor me rritje të shpejtë

Më: 27 maj 2018 Në ora: 13:28
Shqipëri

Turizmi në Shqipëri me 13% të PBB-së së vendit është cilësuar si një sektor me potenciale të mëdha për të arritur objektiva të reja brenda 2020.

Në rubrikën e përjavshme “EstOvest”, kanali televiziv italian “Rai3″ pas reportazheve për disa tema në Shqipëri, si ato të pensionistëve italianë të transferuar në Shqipëri si dhe ndërmarrjet italiane që kanë kërkuar fatin në ”Tokën e Shqiponjave” ka analizuar edhe temën e turizmit, një sektor me potenciale të mëdha për të ardhmen e vendit.

Ndër prioritetet e vëna janë forcimi i një oferte kulturore me shtimin e muzeumeve të rinj, modernizimin e infrastrukturës, në veçanti transportin, rrjetin elektrik, impiantin e kullimit të ujërave, rritjen e ofertës së hoteleve, duke krijuar resorte turistike luksoze, me pishina, qendra relaksi dhe rikuperim të arkitekturave në qendrat e vogla.

Sipas të dhënave të INSTAT, të përpunuara nga ICE (Instituti Italian për Ekonominë) në vitin 2017 kanë vizituar Shqipërinë 5 117 700 persona, nga të cilët 363 344 italianë, pra 36,6 % më shumë se në 2016.

Llogaritet që rreth gjysma e atyre që hyjnë në Shqipëri, hyjnë për turizëm. Ky trend po pëson një rritje në muajt e parë të 2018, pasi kanë hyrë 422 869 persona, 18% më shumë në krahasim me vitin e kaluar, për të njëjtën periudhë.

Nga këta 55 663 janë italianë, 12,2% më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Shumica e vizitorëve vijnë nga Kosova, Maqedonia dhe Polonia, por janë në rritje edhe perëndimorët. Për të rritur ofertën turistike, Ministria e Kulturës është angazhuar në një program të kujdesshëm të vlerësimit të trashëgimisë historike dhe artistike ekzistuese.

Në një pozicion gjeografik strategjik Shqipëria është porta hyrëse e Korridorit 8, që nëpërmjet portit të Durrësit dhe Vlorës mundëson lëvizjen e personave dhe mallrave nga Europa Perëndimore në atë Lindore.

Italia mbetet partneri kryesor tregtar dhe italishtja gjuha e huaj më e folur. Më shumë se 600 sipërmarrje të vogla dhe të mesme italiane që janë aktive në terren investojnë kryesisht në bujqësi, veshmbathje, energji, ndërtim dhe çimento.

Për shkak të programeve të qeverisë dhe falë potencialit të një mjedisi që ende nuk është transformuar krejtësisht nga spekulimi në ndërtim, parashikohet një rritje e kërkesave për leje për ndërtimin e resorteve mbi të gjitha në bregun jugor, ku sipërmarrjet italiane të përfshira janë të shumta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat