Siguracioni i makinave, rregullat e reja, ja kush do penalizohet

Shqipëria

Siguracioni i makinave, rregullat e reja, ja kush do penalizohet

Më: 27 maj 2018 Në ora: 17:24
Ilustrim

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare i ka propozuar qeverisë hyrjen në fuqi të një marrëveshjeje për pagesat e siguracionit të makinave.

Marrëveshja synon që drejtuesit e makinave që kanë paguar taksat vjetore, por qarkullojnë pa siguracion, të mos iu lejohet t’i paguajnë detyrimet e taksave nëse nuk kanë paguar siguracionin e detyrueshëm të mjetit. Nga ana tjetër, ky propozim synon të zgjidhë problemin e makinave që qarkullojnë pa siguracion, ndërsa drejtuesit kanë paguar vetëm taksën vjetore të qarkullimit.

Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, janë evidentuar 16 mijë makina që qarkullojnë pa siguracion, ndërkohë që drejtuesit e këtyre mjeteve kanë paguar taksat vjetore. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare kërkon që në pagimin e taksave te Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor, drejtuesit e këtyre mjeteve t’ju vendoset kusht prerja e siguracionit para se të paguajnë taksën e qarkullimit.

Aktualisht, pagesat e siguracionit kërkohen vetëm gjatë kontrollit teknik të mjeteve, ndërsa kur paguhen taksat vjetore nuk kërkohet kryerja e pagesës për siguracionin. Marrëveshja synon që të kthehet në detyruese edhe kontrolli për pagesën e siguracionit, në momentin që pronari i makinës paguan taksat vjetore të qarkullimit.

TARIFAT E REJA PËR SIGURACIONIN

Edhe tarifat e siguracionit të makinave pritet të ndryshojnë. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare përfundoi hartimin e draftit të ri për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve motorike. Në draftin e ri parashikohet edhe zbatimi i sistemit bonusmalus për siguracionin e makinave.

AMF ka gati edhe infrastrukturën teknologjike për zbatimin e këtij sistemi, i cili parashikon që shoferët të ndahen në 18 kategori të ndryshme. Për çdo kategori është vendosur edhe një koeficient. Ky koeficient është më i lartë për ata shoferë që bëjnë aksidente dhe më i ulët për ata që nuk bëjnë të tilla.

Në varësi të historikut të aksidenteve të çdo shoferi do të ndryshojë edhe çmimi i siguracionit. Për klasën e parë, koeficienti është 0.5, ndërsa për klasën e 18 shkon në 2. Sipas këtij sistemi parashikohet që të gjithë shoferët, si dhe drejtuesit e rinj, pas hyrjes në fuqi të ligjit, të regjistrohen në klasën e 13-të, ose siç njihet ndryshe, klasa hyrëse, e cila do të aplikohet mbi primin e rrezikut me koeficient me vlerë të barabartë me 1.

Për klasat nga 1 në 12, koeficienti do të zvogëlohet, ndërsa për klasat nga 14 deri në 18 do të rritet. Në draft janë parashikuar edhe si do bëhet zhvendosja e shoferëve nga një klasë në tjetrën. Ulja e klasës së riskut me një klasë në rastet e të siguruarit që nuk shkakton asnjë aksident gjatë vitit të kontratës, ku përfiton ulje të çmimit. Në rast se shoferi shkakton një aksident gjatë një viti, do të rritet në dy klasë.

Nëse shkakton dy, tre apo dhe katër aksidente gjatë vitit, do të rritet me pesë klasë të riskut. Rritja e klasës në bazë të aksidenteve do të thotë rritje të koeficienteve për llogaritjen e siguracionit, çka sjell automatikisht që ata që kryejnë aksidente, do të paguajnë çmime më të larta se të tjerët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat