Raporti gjerman: Të hapen negociatat me Shqipërinë

Shqipëria

Raporti gjerman: Të hapen negociatat me Shqipërinë

Më: 27 maj 2018 Në ora: 19:13
ilustrim

Pak javë përpara se vendet e Bashkimit Europian të vendosin për hapjen e mundshme të negociatave me Shqipërinë, në Gjermani shtohen thirrjet që Tiranës t’i jepet drita jeshile, bazuar në rekomandimin pa kushte të Komisionit Europian.

Mbi 2 500 figura të rëndësishme të jetës politike dhe akademike, pjesë e Këshillit Gjerman për Politikat e Jashtme, hartuan një raport ku thuhet qeveria po zbaton një reformë gjyqësore që është shembull për të gjithë rajonin, duke treguar vullnet për të luftuar krimin dhe trafikun e drogës.

“Duhet të pranojmë se asnjë vend tjetër në rajon nuk ka bërë një përpjekje serioze për të reformuar rrënjësisht sistemin e drejtësisë. Ndërkohë që është bërë progres në luftën kundër korrupsionit, dënimi dhe arrestimi i zyrtarëve të lartë në veçanti, mbetet një përjashtim. Përkundër këtyre të metave, është e drejtë të hapen negociatat e pranimit me Shqipërinë. Përpjekjet e reformës duhet të shpërblehen”.

 Raporti thotë se një “po” e qartë nga Gjermania, e cila konsiderohet si një avokat i fortë i kushtëzimit të anëtarësimit, do të vërë nën presion Holandën dhe Francën, të cilat janë kritike për hapjen e negociatave. Këshilli shkon më tej, kur thekson se ndezja e dritës jeshile për Shqipërinë është shumë e rëndësishme edhe për vetë interesat e Berlinit zyrtar.

“Një “jo” nga Berlini jo vetëm që do të destabilizonte Shqipërinë, por do të kishte një ndikim negativ në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor – dhe kështu do të kundërshtonte interesat e sigurisë të Gjermanisë. Në të kundërt, një “po” do të ishte një sinjal i qartë se Gjermania dhe BE, po shpërblejnë përpjekjet e Shqipërisë për të reformuar – edhe nëse ende duhet të kapërcejnë shumë pengesa përpara pranimit”.

 Në raport  vlerësohet gjithashtu vokacioni i qartë pro-perëndimor i vendit tonë, që sipas këtij Këshilli, është shumë i rëndësishëm të shpërblehet, për të krijuar një vije ndarëse nga vendet e Ballkanit që vazhdojnë të flirtojnë me Rusinë, siç ndodh vazhdimisht me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat