Bankat e BE shesin degët në Shqipëri, tregu në rënie 4 vitet e fundit

Shqipëria

Bankat e BE shesin degët në Shqipëri, tregu në rënie 4 vitet e fundit

Më: 28 maj 2018 Në ora: 10:20
FMN

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e parë të post-monitorimit pas përfundimit të programit me Shqipërinë, vlerësoi të qëndrueshëm sistemin bankar, edhe pse sfidat strukturore dhe çështjet e trashëgimisë së krizës vazhdojnë të peshojnë në bilancet e tyre.

Baza e financimit të bankave mbetet shumë e qëndrueshme, me një raport kredie ndaj depozitave prej rreth 52%. Depozitat vazhdojnë të rriten në mënyrë të moderuar, veçanërisht në monedhë të huaj. Kredia për sektorin privat mbetet e dobët, si pasojë e NPL-ve të larta dhe kërkesës së vakët të bizneseve.

Për pasojë, bankat vazhdojnë të investojnë më shumë në obligacione sovrane të qeverisë shqiptare, si dhe duke kredituar biznese jashtë vendit. Fondi vë në dukje se, autoritetet në Shqipëri kanë ndërmarrë disa hapa për të zbutur rreziqet e kreditimit jashtë vendit, duke përfshirë shkëmbimin e informacionit dhe inspektimet e përbashkëta me rregullatorët ku operojnë këto biznese.

FMN thotë se adresimi i kuadrit të zgjidhjes së NPL është vendimtar për rigjallërimin e huadhënies bankare. Stafi theksoi nevojën për të përshpejtuar reformat, duke përfshirë masat lidhur me ekzekutimin e kolateralit, siç janë tarifat e suksesit për përmbaruesit dhe rregullimin e marrëveshjeve të ristrukturimit jashtë gjykatës. Këta faktorë janë pengesa kryesore për rritjen e kredisë. Ndërkohë që kredia pritet të rimëkëmbet këtë vit, 2018, autoritetet duhet të mbajnë në vëmendje dhe të monitorojnë nga afër rreziqet potenciale që lidhen me ekspozimet e mëdha të korporatave dhe rritjen në sektorin e ndërtimit.

Disa banka të BE kanë njoftuar synimin e tyre për të shitur degët e tyre shqiptare. Pjesa e tregut të bankave në pronësi të BE-së ka rënë nga 67% në 2013 në 52% në fund të vitit 2017. Fondi vë në dukje se, interesi i investitorëve me përvojë bankare mbetet i kufizuar. Sigurimi që pjesëmarrësit e rinj të tregut kanë përvojë solide bankare dhe përmbushin kriteret e përshtatshme për të vepruar në tregun bankar shqiptar është një çështje kritike. Një dalje e menjëhershme ose një zhvendosje e portofolit nga një bankë e madhe mund të përbëjë rreziqe për tregjet Forex dhe Bonot e thesarit.

Stafi nënvizoi nevojën për një komunikim më të ngushtë me bankat me pronësi nga vendet e BE, bankat mëmë dhe mbikëqyrësit nga këto vende për të siguruar konsolidim të qetë të bankave.

Fondi vlerësoi se përmirësimi i mbikëqyrjes ndaj bankave, i përafruar me standardet e BE-së, do të siguronte BSH-në me shumë mjete për të menaxhuar më mirë rreziqet sistemike të bankave dhe për të forcuar bilancet e tyre. Bankat vendase pritet të përafrohen me kuadrin IFRS9 deri në fund të vitit 2018. Por Fondi kërkon që të forcohet më tej monitorimi i rreziqeve sistemike për të mbajtur nën kontroll rrezikun e huamarrësve të mëdhenj.

Stafi i FMN gjithashtu sugjeroi një diagnozë të jashtme të posaçme, ndoshta nga një autoritet i jashtëm mbikëqyrës për të vlerësuar portofolat me rrezik të lartë dhe për të identifikuar boshllëqet e mundshme në praktikat e menaxhimit të rrezikut, duke u fokusuar në ekspozimet e mëdha. Më në përgjithësi, stafi rekomandoi që BSH të konvergojë në mënyrë progresive drejt zbatimit të Basel III.

FMN theksoi se është e rëndësishme që AMF të përfundojë kuadrin e menaxhimit të krizave për fondet e investimeve, në koordinim me BSH dhe Ministrinë e Financave. Përfundimisht, futja e instrumenteve të reja në bursën e sapolicencuar duhet të rregullohet rreptësisht, pasi standardet e qeverisjes dhe të tregut nuk janë përmbushur aktualisht për të zgjeruar gamën e aktiviteteve tregtare (aktualisht të kufizuara në tregtinë e letrave me vlerë sovrane).

Fondi thotë se, autoritetet shqiptare u pajtuan me stafin për rreziqet kryesore në sektorin bankar, duke mbetur të bindur se kuadri rregullator dhe mbikëqyrës aktualisht në fuqi mund të zbusë këto rreziqe. Autoritetet po planifikojnë të përafrohen gradualisht me standardet rregullatore të BE.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat