Mbytja e drejtësisë shqiptare, gjyqtari: Çdo ditë duhet të gjykoj mbi 10 dosje

Shqipëria

Mbytja e drejtësisë shqiptare, gjyqtari: Çdo ditë duhet të gjykoj mbi 10 dosje

Më: 31 maj 2018 Në ora: 23:01
Foto ilustrim

Prokuroria dhe Gjykata e Tiranës, ndonëse janë çdo ditë në punë dhe vendosin për të proceduar apo dënuar shtetas të ndryshëm, cilësia e punës së tyre është vënë seriozisht në dyshim.

Ky dyshim vjen pikë së pari nga volumi tej çdo logjike jo vetëm juridike, por edhe aritmetike. Mjafton të thuash që një prokuror i Prokurorisë së Tiranës është i detyruar që të hetojë minimalisht 350 çështje në vit, ose më shumë se një çështje në ditë, për të kuptuar se sa mundësi kanë përfaqësuesit e akuzës për një hetim të mirëfilltë dhe cilësor.

Për rrjedhojë, e njëjta situatë është edhe në Gjykatën e Tiranës.

Gjyqtari Artan Gjermeni thotë: “Do të isha i lumtur që të gjykoja 7-8 çështje në ditë, por në realitet gjykoj mbi 10 çështje dhe nga këto duhet të marr 7-8 vendime”.

Por, si përkthehen këto shifra për një jurist dhe kush është produktiviteti i kësaj ngarkese që kanë prokurorët dhe gjyqtarët e Tiranës?

Konstitucionalisti Çlirim Gjata shpjegon: “Kjo lloj ngarkese e pajustifikueshme dhe absurde sjell mungesë cilësie, paaftësi dhe korrupsion. Sepse është më e lehtë ta mbulosh korrupsionin kur ke një ngarkesë të tillë. Çfarë cilësie mund të presësh nga një gjyqtar që jep 7 apo 8 vendime në ditë”.

Sipas Gjatës, ligjvënësit duhet urgjentisht që të rregullojnë mënyrën e funksionimit të prokurorisë dhe gjykatës, paralelisht me përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve. Dhe për këtë ai ka një formulë që do të siguronte decentralizimin dhe pavarësinë, si të prokurorisë, ashtu edhe të gjykatës.

“Prokurori duhet të zgjedhë stafin e vet; gjyqtari duhet të marrë stafin e tij. Në këtë mënyrë arrihet decentralizimi i prokurorit dhe gjyqtarit dhe më pas ke mundësi që t’i kërkosh llogari për zvarritjet e çështjeve”, deklaron Gjata.

Përsa kohë prokurorët dhe gjyqtarët do të shtyhen të përballojnë sasinë, cilësia do të vazhdojë të rëndojë sistemin dhe qytetarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat