Policia e Shtetit: Lajmi për survejimin e Bashës, spekulim mediatik për qëllime të mbrapshta

Shqipëria

Policia e Shtetit: Lajmi për survejimin e Bashës, spekulim mediatik për qëllime të mbrapshta

Më: 1 qershor 2018 Në ora: 13:03
Policia e Shtetit

Policia e Shtetit ka reaguar duke përgënjeshtruar lajmin se është duke mbajtur në survejim Lulzim Bashën dhe familjen e tij.

Përgënjeshtrim rreth lajmit se familja Basha mbahet nën survejim – përmbajtja e shkrimit, një spekulim mediatik për qëllime të mbrapshta

Lidhur me shkrimin e botuar në gazetën “Panorama”, të datës 1 qershor 2018, me titull “Hije skandali, Policia mban në survejim familjen Basha”, sqarojmë se:

Nuk është aspak e vërtetë që familja e z.Lulzim Basha, kryetar i PD-së, apo familjarë të tij, të mbahen nën vëzhgim nga forca policore.

Përmbajtja e shkrimit është tërësisht një spekulim  mediatik me synim mashtrimin dhe keqinformimin e opinionit publik për qëllime që i gjykojmë të mbrapshta. Me keqardhje konstatojmë se lajmi në fjalë duket i fabrikuar nga zyrat e një partie politike dhe jo nga redaksi serioze.

Informimi i publikut rreth veprimtarisë së institucioneve të shtetit është një e drejtë e garantuar me ligj, prandaj nëse dikush do të kishte interes rreth së vërtetës, do ta merrte informacionin lehtësisht në rrugë zyrtare.

Fakti që asnjë nga institucionet e përmendura nuk është kontaktuar nga media në fjalë, na krijon dyshimin se në këtë rast kemi të bëjmë me keqpërdorim flagrant të një gazete nga ana e politikës.

Me këtë rast theksojmë se z.Basha përfiton nga statusi si kryetar i opozitës, masa shtesë dhe shoqërohet nga forca të Gardës së Republikës.

Por nuk ka në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, monitorim survejues të tij nga strukturat e Policisë së Shtetit.

Duke vlerësuar rolin e medias, Policia e Shtetit është e gatshme për t’iu përgjigjur çdo çështjeje me interes publik, në funksion të mirinformimit të qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat