“Ish-drejtori i policisë me gurore nuk na le të punojmë ne”: Ja si reagon Rama

Shqipëria

“Ish-drejtori i policisë me gurore nuk na le të punojmë ne”: Ja si reagon Rama

Më: 2 qershor 2018 Në ora: 12:06
Pronari i një guroreje dhe kryeministri Edi Rama

Pronari i një guroreje ka denoncuar tek kryeministri Edi Rama ish-drejtorin e policisë në Selenicë, Bernard Çaushin për ushtrim dhune.

Në Panarin e Punës në Elbasan, pronari i gurores tha se ish-drejtori i policisë nuk e lejon që të ushtrojë aktivitetin e tij prej 2 vitesh duke i bllokuar rrugët dhe shkatërruar mjete. Rruga është e bashkisë, por sipas tij Çaushi nuk e lejon të punojë sepse ka guroren e vet ngjitur me të.

Ai shprehet se zotëron lejen nga bashkia dhe se ka kërkuar disa herë ndihmë, por nuk ka gjetur zgjidhje. Kryeministri Rama i la numrin e kontaktit dhe i kërkoi që me mesazh t’i tregonte të gjitha detajet e ngjarjes në mënyrë që ti zgjidhte problemin.

Pronari i gurores: Kemi pengesat tona, por e përgjithshmja ecën mirë. Ne kemi nevojë për 10 punonjës. Por kemi pasur probleme në punë. Meqë erdhët, do t’ju tregoj edhe disa fotografi që i shërbejnë punës. Kemi një gurore me ekskavatorët më të mirë. Ne kemi guroren tonë në Selenicë në Vlorë.

Edi Rama: Ku është problemi juaj?

Pronari i gurores: Ish-drejtori i policisë, Bernard Çaushi na ka bllokuar rrugën prej dy vitesh, ka ushtruar dhunë, duke thyer mjetet. Nuk funksionon. Kemi kërkuar ndihmë shumë herë.

Edi Rama: Përse e ka mbyllur rrugën?

Pronari i gurores: Kjo rruga është e bashkisë, i kemi marrë edhe letrat të gjitha, nuk na le të kalojmë, ngjitur me ne ka guroren e vet.

Edi Rama: Po ai punon?

Pronari i gurores: Po punon, është ish-drejtori i policisë në Selenicë.

Edi Rama: Më dërgo një mesazh mua në numrin tim dhe më shpjego më me detaje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat