Rama në “pedonalen e abuzimit” e të kallëzuar nga KLSH

Shqipëria

Rama në “pedonalen e abuzimit” e të kallëzuar nga KLSH

Më: 2 qershor 2018 Në ora: 17:43
Edi Rama

Takimin e llogaridhënies me qytetarët e Bashkisë së Belshit, Kryeministri Edi Rama e organizoi në pedonalen e re të kësaj qyteze, të ndërtuar falë programit “Rilindja Urbane”.

Kryeministri, që në krah kishte edhe deputetë të zonës dhe kryebashkiakun e qytetit, Arif Tafani kujtoi periudhën kur shkonte në këtë qytezë për të bërë fushatë dhe peripecitë e organizimit të fushatës.

“Mblidheshim në një gjysmë rruge këtu dhe pjesa tjetër ishte e gjitha e shkatërruar e gërmadhë”, deklaroi ai.

“Rilindja Urbane” vërtet ka ndryshuar Belshin, por me çfarë kostoje? Sipas KLSH-së, pothuajse të gjithë tenderat për përmirësimin e infrastrukturës në Bashkinë e Belshit janë gjetur me shkelje nga auditimet e kryera.

KLSH paditi në fillim të javës në prokurori kryetarin e kësaj bashkie, Arif Tafani. Bashkë me të edhe Drejtorin e Bujqësisë, ish-përgjegjësin e urbanistikës, ish-juristen si dhe tre punonjës të tjerë që kanë mbikëqyrur punimet në të paktën dhjetë projekte të rilindjes urbane.

Sipas KLSH-së është abuzuar me 4.3 miliardë leke, nga të cilat 800 milionë në fushën organizative të projekteve, 2 miliardë e 860 milionë përdorim fondesh pa eficencë dhe të ardhura të munguara 660 milionë lekë.

Sipas verifikimit nga KLSh dilet në përfundimin se firmat fituese nuk plotësonin kriteret e Drejtorisë së Standardeve dhe kryen punime me cilësi të dobët. Një nga këto projekte është edhe pedonalja e Belshit, për të cilën edhe Top Channel ka denoncuar ditë më parë punimet e dobëta në ndërtimin e saj.

KLSH në raportin dërguar prokurorisë thotë se ka gjetur shkelje në 14 procedura në total, nga të cilat 10 prokurimi dhe 4 zbatimi, që të gjitha në fushën e infrastrukturës.

Gjithsesi, Kryeministri Edi Rama ftoi banorët e zonës që të orientohen drejt agroturizmit, për të përfituar, siç tha ai, nga lehtësitë që Qeveria ka krijuar për këtë sektor.

“Kjo zonë ka potenciale të mëdha në këtë fushë dhe ne ishim në një bujtinë, që kishte shndërruar një shtëpi të harruar në një zonë të vizituar gjithnjë e më shumë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat