Figura e Skënderbeut, pikë referimi në marrëdhëniet ndërkombëtare

Shqipëria

Figura e Skënderbeut, pikë referimi në marrëdhëniet ndërkombëtare

Më: 9 qershor 2018 Në ora: 11:10
Pamje nga konferenca Ndërkombëtare e Albanologjisë

Konferenca Ndërkombëtare e Albanologjisë, kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, nxit pasurimin e informacionit akademik dhe kulturor të historisë së vendit tonë gjatë mesjetës.

Ermal Baze, profesor në fakultetin e Historisë e Filologjisë, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare u shpreh se ky aktivitet është një mundësi e rëndësishme për të pasuruar edhe më tej studimet historike mbi mesjetën.

“Është një nga aktivitetet më të rëndësishme, në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar, Skënderbeut. Është një konferencë ndërkombëtare, ku krahas profesorëve medievistë të vendit tonë, ka dhe profesorë spanjollë, italianë dhe nga i gjithë rajoni i Mesdheut”, – tha Baze për ATSH.

“Në aspektin akademik, kjo konferencë mbart një rëndësi të lartë për pasurimin e informacioneve për epokën e Skënderbeut, duke e parë këtë epokë jo vetëm në suazën kombëtare, por duke e vlerësuar dhe në aspektin rajonal. Të gjitha politikanët, duke nisur nga Ali Pasha dhe më tej, e kanë evokuar gjithnjë Skënderbeun si një pikë referimi në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke e cilësuar dhe veten si trashëgimtarë, apo pasardhës të Skënderbeut”, – tha Baze.

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, në 550-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, po zhvillohet dhe Konferenca Albanologjike, e cila i jep mundësi të gjithë studiuesve të Skënderbeut për t’u njohur dhe për të shpalosur një temë të caktuar me epokën e Skënderbeut. Kjo Konferencë është e ndarë në tre seksione. Në seksionin e parë dhe seksionin e dytë, ku janë ftuar specialistë fushës, akademikë brenda dhe jashtë vendit, që ligjërojnë studimet e tyre. Në seksionin e tretë do të jenë konkluzionet.

Viti mbarëkombëtar i Skënderbeut do të mbyllet me samitin e madh të diasporës, në muajin nëntor, kur do jetë dhe seksioni i tretë i Konferencës së Albanologjisë. Në këtë muaj (nëntor) do të ketë dhe një sërë veprimtarish të mëdha. Gjithashtu do jepet “llogari” se çfarë është bërë në vitin e Skënderbeut. Të gjitha punimet do të publikohen në një moment të dytë gjatë vitit 2019.
Në këtë drejtim, qeveria ka menduar që mungesat e mëdha që ka albanologjia të jenë një lloj baze për të ngritur sa më parë një kurs për të mundësuar formimin e të rinjve në gjuhët e vjetra, arkilistik dhe paelografi, duke i dhënë frymë dhe oksigjen albanologjisë, për të ndërtuar dhe për të lënë stafetat për brezat që do vijnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat