Nisin punimet në autostradën Tiranë-Durrës, këto janë akset nga duhet të kaloni

Shqipëria

Nisin punimet në autostradën Tiranë-Durrës, këto janë akset nga duhet të kaloni

Më: 9 qershor 2018 Në ora: 16:06
Nisin punimet në autostradën Tiranë-Durrës

Prej të hënës në autostradën Tiranë-Durrës do të kryen punime për riparimin e shtresave të asfaltit.
Për shkak të këtyre punimeve, njoftohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore se automjetet do të duhet të ndryshojnë rruget e përdorimit.

Riparimet përfshijën aksin Qafë Kashar-Durrës dhe Durrës-Qafë Kashar.

Njoftimi

ARRSH dhe Policia Rrugore kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë aks rrugor.
Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë Rrugore është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.

Ministria sqaron se “Ndërhyrja bëhet si emergjente për rritjen e elementëve të sigurisë rrugore. Në këtë ndërhyrje do të riparohen shtresat në pjesët e dëmtuara dhe jo e gjithë gjatësia e rrugës. Pra bëhet fjale per riparim të shtresave rrugore në zonat e dëmtuara të cilat krijojne probleme qarkullimi. Gjithësej 31000 metra katrore shtresa asfaltike, kostoja 615 mijë euro me TVSH nga fondet e Bankes Botërore nga projekti i mirëmbajtjes si ndërhyrje emergjente ku mbi 90% e zë drejtimi i lëvizjes nga Tirana në Durrës. Për rehabilitimin e plotë të të gjithë segmentit po punohet nga ARRSH për sigurimin e fondit nga buxheti i shtetit”.

Gjatë ditës së Hënë dhe të Martë do të bllokohet dhe kryhet ndërhyrja në segmentin e parë nga Qafë Kashari në drejtim të Vorës. ARRSH dhe Policia Rrugore u kërkojnë drejtuesve të mjeteve sa vijon:

-Lëvizja e mjeteve të rënda në drejtim të veriut duhet të bëhet përmes Kamzës nga rreth rrotullimi Casa Italia.

-Autoveturat që shkojnë në drejtim të Durrësit do të përdorin daljen tek pika e furnizimit Kastrati dhe mbikalimin për Kashar në drejtim të Vorës.

-Drejtuesit e mjeteve që kanë si destinacion jugun, duhet të përdorin drejtimin nga Elbasani si dhe kthimin për Tiranë të përdorin sërish drejtimin nga Elbasani.

-Mjetet me kalim nga Rinasi drejt Durrësit duhet të përdorin rrugën dytësore Qafë Kashar-Vorë (300 m përpara mbikalimit të Kasharit) ose në drejtim të aksit Rinas-Vorë në drejtim të doganës.

-Në mënyrë të veçantë drejtuesit e mjeteve që përdorin segmentin Tiranë-Durrës dhe kthim duhet të përpiqen të zgjedhin drejtime alternative sipas udhëzimeve që do të jepen në vazhdimësi nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore.

-Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë Rrugore dhe firmave të mirëmbajtjes do të jenë me njësi të përqëndruara në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut.

-Ju kërkohet drejtuesve të mjeteve që të respektojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor, sinjalistikën provizore të vendosur në segmentet ku do të punohet dhe udhëzimet e policisë.

Pas përfundimit të ndërhyrjes në segmentin Qafë Kashar – Vorë do të fillojë ndërhyrja në segmentet e tjera për të cilat ARRSH dhe Policia Rrugore do të përditësojnë skemat e lëvizjes dhe informojnë opinionin publik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat