Investimet, rritje rekord. Në 3 muaj, 283 milionë euros

Shqipëria

Investimet, rritje rekord. Në 3 muaj, 283 milionë euros

Më: 11 qershor 2018 Në ora: 21:50
Pamje nga video

Investimet e huaja direkte u rritën me 61.6% në tremujorin e parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Banka e Shqipërisë raportoi se në periudhën janar-mars kompanitë e huaja investuan 283 milionë euro në ekonominë shqiptare ose 108 milionë euro më shumë se në tremujorin e parë të vitit 2017.

Të dhënat historike tregojnë se ky është niveli më i lartë i investimeve të huaja direkte të regjistruara në tremujorin e parë që nga viti 2008.

Banka nuk i ka publikuar të dhënat e detajuara se në çfarë sektorësh janë investuar këto para’, por vitet e fundit pjesa më e madhe e investimeve nga jashtë, mbi 60% e tyre, kanë qenë të përqëndruara në sektorin energjetik.

Përfundimi i pritshëm i gazsjellësit transadriatik dhe kaskadës së Devollit ka ngritur shqetësimet se investimet e huaja mund të ngadalësojnë duke filluar që nga ky vit. Madje, sipas Bankës Botërore, ulja e pritshme e investimeve do të ngadalësojë edhe rritjen ekonomike në 3.6% për 2018 nga 3.9 që ishte një vit më parë.

Por, të paktën në tremujorin e parë, sipas Bankës së Shqipërisë, investimet kanë shënuar rritje të lartë.

Investimet e huaja direkte në ekonominë shqiptare arritën kulmin në vitin 2016, kur regjistruan shifrën 942 milionë euro, ndërkohë që vitin e kaluar shënuan një rënie të lehtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat