Shitja e energjisë, KLSH nxjerr shumën: Dëmi ekonomik 2,8 milionë euro

Shqipëria

Shitja e energjisë, KLSH nxjerr shumën: Dëmi ekonomik 2,8 milionë euro

Më: 12 qershor 2018 Në ora: 11:14
Agron Hetoja

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare për muajt prill-dhjetor 2017 ka shitur energji te operatorët privatë të tregut me çmim më të ulët sesa ata ia kanë shitur OSHEE-së.

Diferenca e shitjes së energjisë te operatorët privatë dhe më pas e blerë nga OSHEE llogaritet në vlerën e 2,8 milionë eurove. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit e cilëson shitjen e energjisë nga shteti me çmim më të lirë dhe të blerë sërish nga shteti me çmim më të shtrenjtë dëm ekonomik pa mundësi arkëtimi në kurriz të buxhetit dhe konsumatorëve.

“Nga auditimi i procedurave të blerjes së energjisë elektrike për periudhën prill-dhjetor 2017 dhe krahasimi me shitjen e po te njëjtës sasi energjie ne te njëjtën periudhë, sipas muajve respektivë nga kompania KESH SHA tek operatorët privatë te tregut te energjisë, vihet re një diferencë e madhe midis çmimit te shitjes se energjisë nga KESH SHA dhe çmimit të blerjes se energjisë nga OSHEE SHA, me një diferencë në vlerën 2,831,747 euro, e ardhur si rezultat i diferencës së madhe midis çmimit te shitjes se energjisë nga Shoqëria “KESH” SHA kompanive E, G, A, dhe G etj. dhe çmimit të blerjes se energjisë nga Shoqëria “OSHEE” SHA nga këto kompani”, thuhet në raport.

Kontrolli i Lartë i Shtetit e klasifikon si të ardhur të munguar në dëm të buxhetit. “Këta operatorë, energjinë e kanë blerë nga shteti shqiptar (Shoqëria KESH SHA) dhe përsëri ia kanë shitur shtetit (Shoqërisë OSHEE) me çmim shumë herë më të lartë duke i krijuar një humbje të drejtpërdrejtë buxhetit të shtetit dhe, në fund të fundit, një detyrim financiar që e paguan konsumatori fundor shqiptar, vlerë, e cila përbën dëm ekonomik pa mundësi arkëtimi”, citohet në raportin e KLSH-së për auditin e KESH.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat