Balla: Jemi forca e ndryshimit europian të Shqipërisë

Shqipëria

Balla: Jemi forca e ndryshimit europian të Shqipërisë

Më: 12 qershor 2018 Në ora: 22:07
Taulant Balla

Partia Socialiste (PS) festoi sot 27-vjetorin e themelimit të saj, në një ceremoni të organizuar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, ku merrnin pjesë themelues dhe figura të rëndësishme me kontribute ndër vite në këtë parti.

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla në fjalën e mbajtur me këtë rast, tha se,  27 vjet më parë socialistët shqiptarë nisën rrugëtimin drejt aformësimit të një force progresiste europiane në Shqipëri. 

“Sot, 27 vite më vonë, Partia Socialiste është krenare që mbetet luftëtarja kryesore për integrimin europian të Shqipërisë”, – tha Balla.

Deputeti socialist shtoi se për 27 vite PS ka kontributin e saj në ndryshimin e Shqipërisë, duke ndryshuar edhe veten, duke u bërë partner të rëndësishëm të NATO-s, Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sot beteja jonë theksoi ai, është të shtrojmë rrugën finale drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke e bërë Shqipërinë pjesë reale të Europës. 

Po përse duhet të jenë krenarë socialistët shqiptarë sot? Çdo socialist është krenar para qytetarëve shqiptarë, si kontribues i madh i modernizmit të Shqipërisë. Socialistët e nxorën Shqipërinë nga bataku ku e zhyti Sali Berisha në vitin 1997, vijoi Balla.

Socialistët, theksoi ai, gjetën një vend në duar të bandave, mijëra kreditorë të falimentuar dhe një shtet me institucione të djegura dhe i dorëzuan pas tetë viteve kundërshtarëve të vet, një shtet të qëndrueshëm, që kishte hedhur hapat më të rëndësishme në integrimin drejt BE-së e NATO-s, si dhe kishte fuqizuar raportet me SHBA-në, të cilat i gjeti nën pikën zero.

“Socialistët janë krenarë që përballuan, duke qenë në qeverisje, luftën çlirimtare të Kosovës dhe 1 milion refugjatë në një vend të varfër, duke u bërë kështu faktori mbështetës në suksesin e betejës së Perëndimit në Kosovë. Socialistët shqiptarë janë krenarë që në vitet 2000 u bënë transformuesit e mëdhenj të Tiranës, kryeqytetit të mbushur me kioska dhe plehra, duke i dhënë atij një fytyrë europiane dhe duke e kthyer në shembull transformimi për Shqipërinë”, – deklaroi Balla. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat