Prokurori Trenova “me shpatulla pas murit”, vendimi jepet më 20 qershor

Shqipëria

Prokurori Trenova “me shpatulla pas murit”, vendimi jepet më 20 qershor

Më: 14 qershor 2018 Në ora: 12:00
Gentian Trenova

Pasuria dhe aftësitë profesionale të prokurorit të Apelit Gentian Trenova u diskutan gjatë në seancën dëgjimore në KPK ndaj tij.

Përsa i përket deklarimit të pasurisë, si ILDKPI dhe hetimi i thelluar i KPK treguan se prokurori ka bërë deklarime të rreme. Por vetë ai i kundërshtoi këto, duke thënë se sqarimet ia ka nisur KPK-së me email, dhe se kjo e fundit duhej ti përmendte.
Trenova ka deklaruar një apartament të blerë në rrugën “Ferit Xhajko”, ku në kontratën e parë çmimi ka qenë 40 mijë euro, ndërsa në kontratën e dytë deklarohet 1 milionë e 900 mijë lekë.

Relatorja e çështjes, Brunilda Bekteshi tha se ai ka cenuar etikën e magjistratit, pasi ka dhuruar fiktivisht apartamentin vjehrrës dhe vjehrrit, po ndërkohë jeton vetë aty.
Veç kësaj ai ka bërë një ndërtim shtesë në formë duplex, për të cilën nuk ka mundësi ligjore për ndërtim.
Trenova i nënshtrohet procesit me përparësi pasi është përzgjedhur dhe për anëtar të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, KED.

Vetë prokurori i pranishëm në seancë tha se prindërit e bashkëshortes së tij jetonin në një banesë me qerpiç dhe vendin do e jepnin për ndërtim. Por më pas menduan të merrnin kredi dhe ta rregullonin. “Por kjo është pjesë e familjes, dhe nuk ka rëndësi pse ua dhurova”, ka thënë ai.

Përfaqësuesi i ONM-së, Teo Jacobs u ndal tek blerja e apartamentit. “Në një kontratë thuhet që bletë apartament 40 mijë euro. Une jam nga Belgjika dhe në Belgjikë ka një shprehje “Disa herë duhet të zgjedhësh mes dy të këqia. Ose duhet të thuash që ke fshehur këtë kontratë ose ke bërë deklaratë të rremë”. Përgjegjshmëria juaj si prokuror deri ku shkon kur ju duhet të hetoni njeëez që shkelin ligjin. Ky është thjesht koment. Gjatë këtij hetimi nuk kemi parë asnjë faturë për ndërtimin e kësaj shtese. Të lutëm më ndihmo ta kuptoj këtë gjë”, tha ai.

Ndërsa në kriterin e aftësive profesionale Jacobs u ndal te hetimet për dy dosje, atë të një ish prokurori dhe atë të një personi në hetim. “Ju thoni se i pushova se më tha oficeri i policisë. Më vjen keq, po kjo nuk është profesionale. Ju jeni prokuror dhe nuk mund të fshiheni pas policisë, me gjithë respektin për policinë”, tha ai. Ndërsa për çështjen e hetimit të prokurorit, ai tha se Trenova ka pasur shumë mundësi ta hetojë prokurorin A. K., dhe kërkoi shpjegime pse e ndërpreu hetimin.

Por Trenova deklaroi se kur ka marrë çeshtjen e prokurorit atë e kishin dy të tjerë para tij, dhe kishin kaluar dy vjet, dhe nëse çështja do të kishte pasur sukses do të ishte hetuar nga ata që e lanë. Ai tha se është detyrë e policisë ti sillte prova, dhe jo hamendësime. “Referimet e policisë kanë qenë të shkurtra, ndaj ktheheshin për t’u plotësuar.

Vendimi do të jepet më 20 qershor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat