"3 mijë euro pagova për të ardhur këtu!" Historitë e emigrantëve që jetojnë në Shqipëri

Shqipëria

"3 mijë euro pagova për të ardhur këtu!" Historitë e emigrantëve që jetojnë në Shqipëri

Më: 17 qershor 2018 Në ora: 19:17
Navid

“Quhem Navid, jam 28 vjeç dhe vij nga Afganistani.

Për shkak të luftës lashë shtetin e  Afganistanit dhe erdha këtu. Edhe pse prej 1 viti e 8 muaj ndodhem në Tiranë, dua të shkoj në gjermani dhe më pas në Austri, atje ku ndodhet familja ime.”

Navidi jeton në Qendrën e Azilkërkuesve në Babrru. Në këtë qendër ka edhe të tjerë nga vendi i tij, Siria apo Iraku.  Kanë paguar deri në 3 mijë euro deri sa kanë mbërritur në Shqipëri.

“Rruga që ndoqa për të ardhur deri këtu ishte nga Irani, në Greqi dhe me pas në Shqipëri.  Madje për të mbërritur deri këtu kam paguar gati 2-3 mijë euro.”

Një tjetër azilkërkues thotë: “Jam nga Siria dhe prej dy ditësh ndodhem  këtu në qendër. Kam udhëtuar nga Turqia në Greqi dhe më pas në Shqipëri. Për një udhëtim kam paguar 600 Euro, por dua që të shkoj në Gjermani, pasi familja dhe gruaja ime ndodhen atje.

Ky azilkërkues nga Turqia denoncon policët kufitarë të Malit të zi se janë treguar shumë të ashpër dhe u kanë marrë gjithçka çfarë kishin me vete.

Kam ardhur nga Turqia në Shqipëri pasi jam në hasmëri siç thoni ju shqiptarët. Këtu në azil jam prej 7-8 muajsh. Rruga që ndoqa është Turqi, Serbi dhe më pas në Mal të Zi. Policët kufitarë në Mal të Zi ishin mjaft të ashpër dhe na morën gjithçka çfarë kishim, dokumente, telefona dhe paratë. Nuk dua të shkoj në asnjë vend tjetër, mendoj të qëndroj këtu dhe të krijoj familje.”

Që prej Janarit të këtij viti në Shqipëri kanë hyrë mbi 2 300 emigrantë të paligjshëm. Muajt e fundit fluksi është gjithnjë në rritje dhe mbi 1 600 prej tyre kanë kërkuar azil në vendin tonë. Në Qendrën Kombëtare të Azilkërkuesve nuk ka më kapacitet për pritjen e tyre.

“Çdo ditë me dhjetëra të huaj hyjnë dhe dalin nga kjo portë. Në Qendrën Kombëtare pritëse të Azilkërkuesve, këtë të diel janë akomoduar mbi 180 persona.”

E përmendur nga mediat e huaja si një prej vendeve që mund të strehojë emigrantë, Shqipëria nuk ka ende një kërkesë zyrtare nga Bashkimi Europian, por prej kohësh ajo është një rrugë e re kalimi për ata që largohen nga vendet e tyre në kërkim të Europës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat