Pretenca e prokurorisë: 8 muaj burg për Tom Doshin, Mark Frrokun dhe Durim Bamin

Shqipëria

Pretenca e prokurorisë: 8 muaj burg për Tom Doshin, Mark Frrokun dhe Durim Bamin

Më: 20 qershor 2018 Në ora: 13:21
Tom Doshi

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me nga një vit burg për deputetin Tom Doshi, ish-deputetin Mark Frroku dhe shtetasin Durim Bami, nën akuzë për “kallëzim të rremë”, lidhur me atentatin e supozuar ndaj deputetit Doshi.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, secili prej tyre sipas prokurorisë, duhet të vuajë 8 muaj.

Vendimi do të jepet më 4 korrik.

Seanca e shkuar

Gjyqtari Bledar Abdullai e pranoi kërkesën e mbrojtjes dhe ftoi më pas prokuroren Elsa Miha që të parashtronte faktet penale.

Sipas saj, tre të pandehurit akuzohen se kanë deklaruar të dhëna të rreme në lidhje me një atentat, që supozohej se ishte organizuar për eliminimin fizik të deputetit Tom Doshi.

Sipas prokurores, ka qenë Mark Frroku që ia ka prezantuar këtë gjë Tom Doshit, duke e prezantuar me Durim Bamin, i cili supozohej se do të paguhej për eliminimin fizik të tij. Pasi parashtroi të gjithë dosjen, gjyqtari i la dy javë kohë për konkluzionet prokurores. Çështja në fjalë bëri bujë në vitin 2015, kur deputeti Tom Doshi tha publikisht se kishte zbuluar një atentat që do të bëhej ndaj tij. Ai madje akuzoi për përfshirje edhe ish-kreun e LSI-së, Ilir Meta. Deputeti Doshi publikoi përmes mediave, një intervistë të kryer nga ai vetë me Durim Bamin, i cili pretendonte se ishte porositur për të eliminuar fizikisht Doshin dhe ish-deputetin e PD-së, Mhill Fufin. Intervista e realizuar në banesën e deputetit shkaktoi shumë trazira politike, por për organin e akuzës gjithçka ishte e rreme dhe tashmë, si Durim Bami, ashtu edhe Tom Doshi, janë nën akuzë për kallëzim të rremë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat