Mirela Kumbaro refuzon "gjyqin publik" për Teatrin Kombëtar

Shqipëria

Mirela Kumbaro refuzon "gjyqin publik" për Teatrin Kombëtar

Më: 24 qershor 2018 Në ora: 13:47
Mirela Kumbaro

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro nuk do të jetë nesër në seancë dëgjimore në Komision parlamentar, ku ishte thirrur nga opozita në lidhje me projektligjin për shembjen e godinës së teatrit Kombëtar dhe rindërtimin e tij, së bashku me një kompleks kullash.

Për Partinë Demokratike ky është një refuzim për të bërë transparencë ndaj faktit që po kërkohen të ngrihen kullat e klientëve të kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.

Përmes një shkrese, ministrja ka njoftuar kryetaren e Komisionit, Albana Vokshi, se nuk do të paraqitet nesër në Komisionin Parlamentar të Kulturës për një seancë dëgjimore, që është një nga mjetet me të cilat opozita parlamentare kontrollon qeverinë.

“Kjo është e disata herë që ministrja refuzon Parlamentin kur duhet të japë llogari për projektligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe grabitjes së pronës publike në favor të një firme private të lidhur me Ramën dhe Velaij. Ministrja Kumbaro është nismëtare e këtij projektligji, por që ende nuk ka dhënë asnjë llogari për të. Herën e fundit ajo vendosi të shoqërojë Erion Veliajn dhe të braktisë seancën dëgjimore për ligjin e posaçëm antikushtetues për Teatrin. Deri tani Mirela Kumbaro nuk ka asnjë prononcim për këtë çështje”, thotë Partia Demokratike në një reagim të sajin.

Deri më tani projekti i qeverisë është duke u kundërshtuar fortë jo vetëm nga aktorët, por edhe nga shoqëria civile, të cilët kanë nisur aksionin e tyre në mbrojtje të godinës së teatrit, me protesta të përditshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat